Rreth 19 mijë banorë të qytetit të Gramshit, shumë shpejt do të kenë në rubinetat e tyre, jo vetëm 24 orë ujë, por mbi të gjitha cilësor. Një investim i konsiderueshëm i Qeverisë Shqiptare do të bëjë të mundur rikonstruksionin e rrjetit të ujit të pijshëm, në të cilin nuk ishte vënë dorë prej shumë vitesh. Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, deputeti Anastas Angjeli dhe Kryetari i Bashkisë Klodian Taçe inspektuan ecurinë e punimeve duke këmbëngulur në korrektësinë e afateve dhe cilësinë e punimeve.
Balla theksoi se rritja e numrit të banorëve të qytetit, e bënte domosdoshmëri shtimin e kapacitetit të ujësjellësit “në 18 Shkurt Gramshi feston 60 vjetorin e krijimit dhe gjithë këto vite kishin bërë të domosdoshëm një rikonstruksion të plotë të rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm duke marrë në konsideratë edhe faktin që rrjeti i vjetër ishte parashikuar për një qytet shumë të vogël.” Por investimet në Gramsh janë të përqëndruara në disa zona, kryesisht ato periferike. Me kërkesë të banorëve në lagjen Koçaj, në periferi të Gramshit, ka përfunduar asfaltimi i rrugës. Më parë në këtë zonë ishte e pamundur të hyje sidomos gjatë motit të keq. Tashmë lagja Koçaj bëhet pjesë e qytetit dhe e denjë për të qenë e tillë. Gjatë punimeve për ndërtimin e rrugës janë sistemuar edhe rrjeti i kanalizimeve dhe ndriçimit.
Duke marrë parasysh edhe planin e ri urbanistik, zgjerimi i qytetit të Gramshit do të vijojë përgjatë kësaj zone.