Nga Albert Nikolla/
Është një risi bukur interesante prania dinjitoze e kapilare e grave në të gjitha strukturat e Partisë Socialiste. Interesi zgjohet akoma më shumë kur vërejmë se përballë PS-së, Opozita shqiptare është akoma një bashkësi me qasje të theksuar maskiliste përsa i përket aktivizmit të grave në politikë. Trashëgimia kulturore e Opozitës na bën të mendojmë se nuk duket asgjëkundi në horizont një hop cilësor e programor për të krijuar premisat që gratë të kenë një zë të fortë e të mos trajtohen si çapaçulet e PD-së. E shikoj këtë trashëgimi jo dashamirëse të Opozitës për promovimin e gruas të lidhur fort me “zogizmin” si para-idelogji të cilën e ka shumë për zemër gjithë e ashtuquajtura e djathtë shqiptare!
Mospërfillja e grave në hapësirën publike e të pushtetit nuk është dukuri e re. Ka patur vazhdimisht përgjatë historisë njerëzore një hendek mes grave dhe ushtrimit të pushtetit.
Që prej Greqisë së lashtë dhe përgjatë Perandorisë Romake paragjykimet kanë shoqëruar përherë mundësinë që gratë të kishin qasje në pushtet. Studiuesja Mary Beard në librin “Gratë dhe pushteti” sjell një shembëlltyrë kuptimplotë nga libri Odisea, që sipas saj, është rasti i parë i qytetërimit greko – romak që dëshmon zanafillën e përjashtimit të gruas nga pushteti dhe shquarjen e faktit se pushteti u takon veç burrave. Pasazhi për të cilin bën fjalë libri lidhet më një dialog mes Telemakut dhe Penelopës. Telamaku, pasi e ëma i kërkon të këndojë diçka më pak të trishtueshme, i përgjigjet se duhet të largohet menjëherë nga kuvendi e të futet në dhomën e saj pasi fjala dhe sugjerimet u përkasin vetëm burrave!
Në kontekstin kulturor shqiptar ka mbijetuar gjatë kjo mendësi përjashtuese për gratë deri agun e luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Zgjon kureshtje fakti se të dhënat historike nuk na dëshmojnë për gra të përfshira në grupet ushtarake balliste ndërkohë që në radhët partizane kishte mbi 6000 gra e vajza që luftonin dhe mbi 250 prej tyre ranë dëshmore për liri. Po ashtu ka mjaft gra e vajza që ishin të përfshira në grupet e para komuniste në vitet ’30 ndërkohë që në mjediset zogiste kishte një atmosferë mbytëse e të mykur pa kurrfarë qasjeje ndaj grave në politikë. Megjithatë të dhënat antropologjike na dëshmojnë se pavarësisht kësaj mungese në “skenë”, edhe në hapësirat jo komuniste gratë kishin njëfarë pushteti pas kuintave.
Rasti i pushtetit të nënës së mbretit Zog mbi të birin e dëshmon diçka të tillë, por e veçanta qëndronte tek fakti se gruaja nuk duhet të shfaqej publikisht si mbartëse e pushtetit. Shfaqja reale e gruas në politike e në çështjet e pushtetit vjen me lëvizjen komuniste. Sigurisht që roli politik i gruas në komunizëm ka dritëhijet e veta, por mund të themi me plot gojën se në atë kohë u hap një trase politike e shtegtimit të grave që nuk do të kthehej kurrë më sëprapthi dhe prania e grave në politikë la një gjurmë të jashtëzankonshme në jetën politike e shoqërore në vend!
Asgjëmangut, edhe pas rënies së komunizmit, mjediset e djathta nuk e panë kurrë gruan si një person të denjë për të patur fjalën e saj në agoranë e re politike, që për më tepër ishte tashmë edhe pluraliste. PD-ja dhe partitë e vogla të djathta ishin me shumicë dërrmuese burra dhe në këtë klimë kulturore jomikpritëse ndaj grave, sidomos në radhët e PD-s, disa gra që kishin ambicje politike filluan të krijojnë modelin e gruas “shotë”, ose gruas “burrë” që përfton në vetvete fjalorin e fortë e të dhunshëm duke kërkuar ngjashmëri tek burrat e fortë të politikës. Ky lloj modeli mbijeton akoma sot në radhët e së djathtës. Mjafton të sjellim në kujtesë shprehjet e grave të “forta” ose “shote galicave” të djathta që nuk e kishin për gjë të fyenin këdo në kuvend apo të përdornin shprehje tipike të burrave të dhunshëm si “kapeni për zhelesh”, “futjani plumb ballit”! Edhe sot në rradhët e Opozitës, gruaja mund të ketë mundësi për njëfarë karriere vetëm nëse gjuan Kryeministrin me shishe, e ofendon atë, ulërin në Kuvend dhe shikon vëngër koleget e saj socialiste!
Krejt e kundërt është pamja e grave buklore socialiste në radhët e PS-së. Përveç asaj trashëgimie historike që përmendem më lart, e që PS-ja e ka kthyer në thesar, ka qenë intuita e Edi Ramës dhe PS-së që asaj t’i japë një hop të madh cilësor sipas modelit të socialdemokracisë europiane. Gratë socialiste nuk dëshmojnë kurrëfarë dhunë në ligjërimin e tyre publik e politik. Jo vetëm kaq, ato kanë një vetëdije të natyrshme që u buron nga brenda botës së tyre shpirtërore e politike se janë në vendin që u takon. Gruaja socialiste në politikë nuk pret përdëllim siç presin gratë demokrate që kanë rol periferik në parti. Ky fenomen kulturor e politik e ka ndarë politikën shqiptare në dy hapësira, që më shumë se sa ideologjikisht ndahen për qasjen ose mosqasjen e gruas në politikë!
Jeta në forumet e PS-së më ka bërë të njoh nga afër shumë gra të fisshme të cilat janë aq të shumta saqë përmendja me emër të ngërthen me riskun e mungesës e delikatesës që mund të shkaktojë harresa, por ka diçka që më sfidon e më thotë se përmendja e emrit është vërtetë e bukur sepse ai përbën elementin e parë komunikues kur i drejtohemi dikujt, për më tepër nëse është grua. Këtij tundimi, me riskun e harresës, po i futem duke përmendur gratë e vajzat e admirueshme e të prujshme socialiste me të cilat më ka lidhur komunikimi politik prej te Elisa, Ogerta, Lindita, Mimi, Olta, Klodeta, Ardiana, Erinda, Genta, Anjeza, Marjana, Eliana, Karolina, Klodiana, Alketa, Albina, Aida e deri tek Bora, Blerta e Anisa që janë të gatshme për informacionet e punës në çdo orë.
Për të gjitha ushqej një konsideratë që i kalon kufinjtë e së zakonshmes, por në shërbim të idesë së artikullit, nuk mund të mos veçoj Elisa Spiropalin. Besoj se Elisa është ndër modelet më të mira e kuptimplotë të gruas në politikë. Për aq sa më ka lidhur puna, për mënyrën sesi ajo e shikon politikën, kam krijuar bindjen e thellë se i shkon fort për shtat thënia e politikanes italiane Tina Anslemi: “ Është e domosdoshme që gratë të kuptojnë se pjesëmarrja politike nuk është çështje e së drejtës së barazisë me burrat, por është para së gjithash detyrë”! Saktësisht frazën e fundit më pati thënë njëherë Elisa: e ndjej politikën si detyrë! Një impenjim politik kaq intesiv i Elisës në politikë duke qenë njëherazi nënë e dy fëmijëve, njëri prej të cilëve foshnje e porsalindur, duhet të jetë shembull i çdo gruaje që e ka pasion politikën që mund t’ia dalë. Nuk na duhen në politikë “gratë burra” të dhunshme, por ato gra që kanë ruajtur feminilitetit, mëmësinë, të bukurën, përkujdesjen dhe vendosmërinë për t’u shkuar deri në fund gjërave që kanë të bëjnë me menaxhimin e së mirës publike! Jo më kot M. Theçer thonte se: “Nëse do që një gjë të thuhet, duhet ta marrin përsipër burrat, nëse do që puna të bëhet, duhet ta marrin përsipër gratë”!