Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka komentuar rëndësinë e Ligës së Kampionëve, duke insistuar se s’është fundi i botës nëse s’e sjell atë trofe në Etihad. Pep Guardiola është tre-herë fitues i titullit të garës më prestigjioze të klubeve në Evropë. Por, të gjitha triumfet e tij erdhën sa ishte me klubin e tij të fëmijërisë, Barcelonën. Si lojtar, ai kishte pasur rëndësi të madhe në “Ekipin e Ëndrrave” të Johan Cruyffit që e mposhti Sampdorian në finalen e sezonit 1991/92, përderisa arriti ta fitojë këtë trofe edhe si trajner me Barcelonën, në sezonet 2008/09 dhe 2010/11.

Megjithatë, që kur është larguar nga Camp Nou, ai s’e ka fituar këtë titull, përkundër që ma qenë dominues në ligat vendore me Bayern Munichun e pastaj me Manchester Cityn. Klubi i Premierligës ende s’ka arritur ta kalojë fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve me Guardiolën si trajner. Megjjthatë, ai s’do ta lejon që kjo garë t’i bëhet fiksim. “City është një klub që për një dekadë dëshironte vetëm të mbijetonte në Premierligë. Por pastaj, befasisht, klubi u ble nga njerëz nga Abu Dhabj dhe ata e bënë një hap të madh përpara dhe i fituan katër kampionate brenda dekadës”, tha Guardiola.

“E vetmja gjë që ata s’e kanë është titulli i Ligës së Kampionëve dhe është normale që njerëzit ta kërkojnë këtë. Është një gjë e mirë që po e kërkojnë”. “Do të tentoj dhe nëse s’e arrijmë këtë vit, atëherë e kemi vitin tjetër… bota s’merr fund nëse s’e fiton”. Faza e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve e përball Guardiolën me një rival të vjetër: kundërshtarin e madh të Barcelonës, Real Madridin.