Në qytetin e Vlorës, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përfunduar një investim të rëndësishëm, i cili përfshin ambientet e reja të Qendrës së Kujdesit ndaj Klientit si dhe sallën SCADA, të kontrollit të automatizuar.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli dhe Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Vlorë, Erion Osmanaj kanë inspektuar nga afër investimin e kryer.
Siç njofton zyra e shtypit, drejtori i OSHEE Vlorë, bëri të ditur se në Vlorë janë 5 qendra të Kujdesit ndaj Klientit dhe performanca e tyre ka qenë e kënaqshme. Gjatë vitit 2019 kanë marrë zgjidhje të gjitha çështjet dhe ankesat e ardhura pranë këtyre Qendrave, ndërsa janë trajtuar edhe çështje apo ankesa të mbartura gjatë viteve të mëparshme.
“Kjo është qendra e re e Kujdesit ndaj Klientit të kompanisë së re Furnizuesi i Shërbimit Universal. Është hera e parë, që Vlora është e pajisur me sistemin elektronik të radhës, për të ofruar një shërbim cilësor për klientët, bashkë me shërbimin online në kohë reale”, tha Osmanaj.
Duke vlerësuar këtë investim, ministrja Balluku tha se OSHEE duhet të vijojë investimet e nisura për të kaluar online akoma dhe më shumë shërbime.
“Tashmë të gjitha agjencitë, apo ndërmarrjet e varësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe ministritë e tjera, kanë filluar të ofrojmë sa më shumë shërbime online, për t’i dhënë qytetarit lehtësi më të madhe dhe për të shkurtuar kohën e shërbimit. OSHEE ka qenë një nga nismëtaret e këtij procesi, kështu që ju i keni mësuar të parët qytetarët, sesi aksesohen shërbimet online dhe duhet të vazhdoni ta bëni”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë inspektoi gjithashtu edhe ambientet e reja të dispecerisë SCADA. Aplikimi i këtyre sistemeve bën të mundur mbledhjen e informacioneve në kohë reale dhe më pas reagimin në distancë, duke shkurtuar ndjeshëm kohën për riparimet e defekteve që mund të shfaqen.
“Fakti, që ju dhe OST jeni të lidhur me SCADA, krijon një interaktivitet dhe eficencë maksimale. Bashkërendimi i të gjithë aktorëve, që kontribuojnë në fushën e energjisë është synimi që ne kemi. Bashkëveprimi i të gjithë aktorëve përmes sistemeve elektronike është shumë i rëndësishëm, shkurton kohë, na jep mundësi që të ndërhyjmë shumë shpejt dhe padyshim bën që abonenti të mos ndjejë defektet, që deri dje zgjasin edhe për orë të tëra”, theksoi ministrja Balluku.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka vlerësuar investimet e kryera nga OSHEE në Vlorë, duke theksuar se ato janë një ndihmë e madhe për zhvillimin e qytetit.
“Komplimentet e mia për këtë sistem fantastik të menaxhimit të furnizimit me energji elektrike në të gjithë territorin e Vlorës. Në momentin, që çdo gjë është e kontrolluar nga një pult komandimi, absolutisht është një garanci më shumë për t’i shërbyer klientëve, që janë abonentët familjarë, por mbi të gjitha, ajo që është synimi i të gjithëve është turizmi”, është shprehur kryebashkiaku Leli.