A e gjeni dot se kush e ka thënë? “Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqëri moderne demokratike, si dhe për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike”. Po ju ndihmojmë pak: Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Por Ilir Meta me gojën e zëdhënësit të tij gazetar Tedi Blushi, shkruante mbrëmë kundër gazetarëve Frrok Çupi dhe Baton Haxhiu pas emisioneve televizive ku ata mbajtën qëndrime kritike ndaj tij, rreth nismë së tij të fundit që ai e quan “grusht shteti” të Rilindjes, ndaj së cilës ka thirrur qytetarët në shesh pasditen e 2 marsist.
Ja çfarë shkruan ai kundër kolegëve të tij: “Nuk mund t’i ndalojmë qentë të lehin! Edhe kafshët kanë të drejtat e tyre! Sidomos qentë e rrugës dhe të UDB-së në këto kohë të fantazmave me shkëmbime territoresh!” Pyetje tjetër: Kush e ka thënë se “do të jetë përherë në mbështetje të gazetarëve, kundër çdo tentative që synon të cënojë fjalën e lirë dhe pavarësinë e medias, që rrezikon të kthejë vendin 30 vjet pas. Pa media të lirë e të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur”?
Po ju ndihmoj edhe këtë radhë: E ka thënë Sh. T. Z. Ilir Meta, dora vetë. Po përmes zëdhënësit të tij jo më larg se gjatë kësaj jave, Presidenti shkruan: “Më lejoni të shpreh një falenderim të veçantë për të gjitha portalet e Rilindjes, për imagjinatën dhe akuzat e shfrenuara, teoritë konspirative, shkrimet e porositura, dhe memet e jashtëzakonshme…” Po ta mendosh se Presidenti i Republikës sonë ka sulmuar në vijimësi gazetarët, ku rasti tjetër më i afërt është ai i analistit të njohur Sokol Balla, atëherë e kupton më mirë dyfytyrësinë e sjelljes së tij në teori dhe në praktike, në raport me mediat në Shqipëri. Pa harruar, edhe akuzat që i janë bërë nga opinionistë të ndryshëm për blerje mediash, portalesh, drejtuesish të emisioneve televizive, e kështu me radhë.
Pas kësaj, Ilir Meta duhet të ndajë mendjen: Ose të heqi maskën e fjalëve të bukura e të dali në raportin e tij real me mediat, gazetarët, lirinë e fjalës e të shprehjes në Shqipëri, ose të mos bëjë moralistin. E ajo që dihet për ta, duket se vlen edhe për Presidentin tonë në ikje: Moralist është ai që gjykon gjithkënd e gjithçka, përveç vetes dhe sjelljeve të tij! Alpenews.al