Nga Spartak Braho

Brenda një jave opinioni ka dëgjuar nga goja e kreut të shtetit tri deklarata sa të forta, siç quhen rëndom, aq dhe të çuditshme, shpërthyese por jo gjakftohta dhe të suazës së gjuhës presidenciale si faktor i unitetit. Madje ato duken krejt alibi, sikur duam të justifikojnë ca veprime të veshura po me alibi argumentesh. Alibia e parë: Edi Rama dhe maxhoranca qeverisëse po bën grusht shteti ! Dakord. Por Si ? Dhe Pse? Gjakrat u nxehën së tepërmi nga dalja e dy akteve ligjore të miratuara, që lidhen me Aktin Normativ të kontrollit të pasurive dhe ligjit për Betimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve jo vetëm para kreut të shtetit. Sipas këtij të fundit, ato janë “kapaku” që i vihet grushtit të shtetit që po kryen Edi Rama me maxhorancën e tij të mbi 100 numrave në Kuvend.

Të themi dy fjalë për Aktin Normativ: -Gjykoj se në këto 8 vjet të Qeverisjes së Edi Ramës, ai është nga aktet ligjore më të goditura, mëefektivi, i domosdoshëm për luftën kundër kriminalitetit, ndonëse paksa i vonuar. “Akti normativ” ka në thelbin e tij goditjen direkt të paurisë e krimit të organizuar, bazuar tek parimi dhe strategjia e luftës kundër këtij krimi, “ndiqe krimin atje ku është paraja e piste”, i cili padyshim në tërë këto vite edhe për shkak të paaftësisë së goditjes së tij policore e strukturave të tjera të shtetit është rritur, është forcuar, është sofistikuar, është bërë më agresiv dhe i rrezikshëm duke përfshirë edhe segmente te rëndësishme te politikes, pushtetit edhe drejtësisë. Ky Akt me fuqinë e ligjit do të shtrijë veprimtarinë e tij në kontrollin e pasurive të vëna në rrugë jo të ligjshme, nga burime të dyshimta, veç policisë edhe nga strukturat e tjera të shtetit, e organet e drejtësisë, të cilat jo vetëm do të konstatojnë se ka persona që kanë futur duart jo deri në bërryla por deri sipër në krahë të cilët do të hetohen e gjykohen për veprimet antiligjore. Duke i thirrur kujtesës, unë do të theksoja se nuk jemi të parët ne shqiptarët që aplikojmë masa të jashtëzakonshme të luftës kundër kriminalitetit dhe mafies që ka në themel krimin e organizuar. Ishte Italia në vitet 80-90 që goditi mafian dhe krimin e organizuar po me të tilla masa të jashtëzakonshme. Ishin Shtetet e bashkuara të Amerikës që pas ngjarjeve të 11 Shtatorit 2011 miratuan ligjin “Patriot” si emergjence dhe që u përdor në luftën kundër terrorizmit.

Edhe në Shqipëri, në kushtet e kësaj emergjence të luftës kundër kriminalitetit, kundër krimit të organizuar maxhoranca socialiste ka zgjedhur këtë mjet ligjor, i cili është emergjent për t’u zbatuar dhe ka efekte të përkohshme ashtu siç parashikon kushtetuta. Nuk e kuptoj deklaratën dhe alarmin e opozitës dhe kreut të shtetit se Edi Rama po bën grusht shteti. Është absurde, si mund mendohet se të beje grusht shteti kryeministri Edi Rama kundër vetes se tij. Si rregull grushtet e shtetit i organizojnë strukturat e tjera joqeverisëse, opozitare apo që synojnë pushtetin me anë të mjeteve të dhunës. Është qesharake të mendohet pse do bëjë grusht shteti mazhoranca. Për të marrë pushtetin? Kur ajo e ka.

Alibia e dytë: Dekreti i 2 Marsit për shpërndarjen e parlamentit Kjo është thirrja e dytë e kreut të shtetit. Alibia është se ky parlament “po kryen grusht shteti po kap gjykatën kushtetuese po saboton Reformën në Drejtësi”. Dakord! Por si dhe Pse ? Me çfarë argumentesh dhe mjetesh ligjore do të shpërndajë presidenti me dekret parlamentin. Për shpërndarjen e parlamentit ai nuk ka asnjë kompetencë kushtetuese dhe ligjore. Kujt dispozite ligjore të Kushtetutës do t’i referohet ? Kushtetuta i ka të përcaktuara rastet kur shpërndahet parlamenti. Vetëm Napoleon Bonaparti, Ahmet Zogu a ndonjë “udhëheqës” tjetër në Afrikë kanë aplikuar këto marifete. Zogu u vetëshpall mbret, por dhe ai e veshi me një justifikim ligjor se paraprakisht dhe formalisht mori një “miratim” nga Asambleja Kushtetuese e asaj kohe. Por ato kohë kanë ikur. Jetojmë në kohë dhe zhvillime të tjera dhe anakronizmi i këtyre veprimeve “të forta” eksligjore është i papranueshëm për shoqërinë e sotme moderne e demokratike.

Alibia e tretë. Në 2 Mars 2020 kreu i shtetit deklaroi se “do lidhi besën me popullin dhe me popullin në bulevard do shpërndajë parlamentin dhe rrëzoi qeverinë Rama. Po si? Me dhunë? Me presion, me revolucion? Nuk thuhet dhe nuk përmenden mjetet nga kreu i shtetit si do ta realizojë shpërndarjen. Këto deklarata na kujtojnë vitet 97-98 -99 të aksioneve dhe grushteve të shtetit që synoi dhe kreu Sali Berisha për të marrë pushtetin. Në ato vite, na kujtohet si ata që pushtuan dhe dogjën Kryeministrinë, Kuvendin, Televizionin Shqiptar etj., pas disa orësh ikën dhe u shpërndanë si minjtë nga tërmeti, kur krisi telefoni i Mariza Linos dhe ca telefonata të tjera që jo vetëm Sali Berisha i di.

Pa u zgjatur me këtë temë do të thosha se 2 Marsi i 2020 që për fatin e keq të neopuçistëve bonopartistë i bie të jete ende i shpallur me ligj si ditë e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të emergjencës, që parashikon ndalimin e tubimeve protestave e grevave të pajustifikuara. Në 2 Mars populli nuk do të dalë për të përmbysur me dhunë organet e zgjedhura prej tij Kuvendin, Qeverinë etj. Populli e di se këto organe të qeverisjes dhe shtetit “përmbysen” vetëm me rrugë demokratike të zgjedhjeve. Qeveria ka vend të kritikohet, të shahet, të anatemohet, të bëhen vërejtje, por jo të rrezohet me dhunë. Durim deri në Qershorin e 2021 të nderuar zotërinj opozitarë. Vetëm femijët bërtasin në pyll për të mos u trembur. Kurse përfundimi i këtyre alibive është se ajo që më tregonte një miku im: Ju kujtohen shkrepëset e Shkodrës ? Çdo shkrepëse kur fërkohej lëshonte shkëndija, por nuk ndizej dot dhe fikej…