Nga Alfred Peza/
Presidenti i Republikës së Shqipërisë është i njohur për shpërthimet e pakontrolluara publike, me plot ulje e ngritje të toneve, fjalëve të artikuluara dhe xhestikulacioneve që shkojnë sa në një ekstrem në tjetrin, në harmoni me fazat dhe dozat e humorit të tij politik.
Sa më keq i ka punët, aq më të pakontrolluara i dalin fjalët, deklaratat dhe veprimet. Sa më mirë i shkojnë ato, aq më i qetë ndihet e shfaqet dhe aq më shumë i përkushtohet predikimeve për ti marë gjërat “me qetësi dhe dashuri”!
Pakkush mund ti ketë harruar shpërthimet e Ilir Metës gjatë vitit të kaluar, që reflektoheshin tek postimet qesharake me rroba banje dhe bluzën me vija vija të “Sëlltik”-ut. Tek fotot e videot me mace, qen, domate dhe me të gjitha llojet e frutave e zarzavateve që i dilnin përpara. Përgjatë edhe konferencave të shtypit që transmetoheshin LIVE, të cilat përfundonin me formimin e shqiponjës me dy pëllëmbët e duarve, u kuptua edhe halli i tij i vërtetë.
Çdekretimi i zgjedhjeve të 30 Qershorit 2019, u bë akti i fundit i hedhjes së benzinës mbi zjarrin e zhvillimeve politike në vend, të cilat tentonin që ta fusnin në kolaps rendin kushtetues për të bllokuar e më pas për ta zhbërë përmes pazaresh politike, reformën në drejtësi.
Pas disa javësh e ndoshta pak muajsh qetësie, shpërthimet e Kreut të Shtetit u rikthyen përsëri këtë javë, përmes sjelljesh disi më të çuditshme në raport me qëndrimet e dikurshme publike. Pas votimit në Parlament të Paketës Anti“KÇK” që i dha bazën ligjore Operacionit “Forca e Ligjit” kundër krimit të organizuar në Shqipëri dhe ndaj prokurorëve e gjyqtarëve në shërbim të tyre, Ilir Metës iu rikthyen sërisht simtomat e sëmundjes së dikurshme.
Fillimisht përmes zëdhënësit të tij, ai postoi të nesërmen që në pikë të mëngjesit, një status drejtuar gazetarëve, ku shprehte “çudinë e madhe që ky ligj miratohet në errësirë të plotë, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë, të thirrur nga vetë Kuvendi”. Sipas tij, kjo “tregon një mungesë serioziteti të plotë, panik për ngut dhe fakt të kryer. Pra KAP ÇFARË TË KAPËSH.” Njoftimi përfundonte me premtimin se pasdite “Presidenti do të kuvendojë me ju direkt nga Presidenca, dhe me të gjithë shqiptarët, për qëllimin e vërtetë të ligjit për KRYEKÇK-në.”
Gazetarët pritën e pritën, por vetëm nga darka, një postim i dytë e anullonte të parin: “Ju kërkoj ndjesë, por kuvendimi i Presidentit me ju do shtyhet për sot, pasi agjenda e tij ishte shumë e zënë, jashtë parashikimit tim paradite. Së afërmi do ju njoftoj kur ky kuvendim do ndodhë, në mënyrën më transparente, ku sigurisht Presidenti do pranojë çdo pyetje tuaj.”
Një qytetar me të drejtë ironizonte në rrjetet sociale ku shkruante se kjo qasje e Ilir Metës i kujtonte një skenë nga filmi “Koncert në vitin 1936”, kur tellalli Trifon u detyrua që të dali sërisht për të anulluar koncertin. Ai njoftoi njerëzinë, se “Zonjat e ndëruara që kishin urdhëruar në qytetin e tyre për të kënduar, ishin pak si pa qejfë. Ndaj të mos mërziteshin se ai do të dilte e do ti njoftonte prapë, se kur do të bëhej koncerti!
Ndryshimi mes skenës së atëhershme dhe asaj të sotme, qëndron në faktin se në film, pas një urdhëri të dytë nga lart, koncerti u dha me sukses. Ndërsa konferenca e shtypit e Presidentit të Republikës për AntiKÇK-në, me shumë gjasë edhe mund të mos bëhet kurrë. Për një arësye të thjeshtë. Ndoshta për shkak të mesazheve nga SHBA dhe BE në mbështetje të nismës së mazhorancës, për luftën pa kompromis që ka nisur tashmë kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
E si të mos mjaftonte vetëm kjo, brenda pak orësh Presidenti i Republikës bën një postim tjetër të paparë. Në të shkruhet se Ilir Meta vetëm tani ishte njohur (?!) me shqetësimin e rëndë të bërë publik nga ambasadori i Delegacionit të BE në Shqipëri Luigji Sorca, “lidhur me përhapjen e qëllimtë dhe dashakeqe të disa lajmeve për gjoja ekzistencën e një video kompromentuese, me qëllim goditjen e pastërtisë së figurës së Tij.”
Më pas në njoftim thuhet se “Presidenti Meta shpreh solidaritetin e tij të plotë me ambasadorin e BE, si dhe një zv/ ministre të Qeverisë, e cila mësohet se gjithashtu është përfolur paturpësisht në këtë çështje”! Ajo që e bën edhe më qesharake këtë qasje publike të Ilir Metës, është premtimi se ai do të kërkojë zyrtarisht, edhe hetime për këtë rast kur dihet se kemi të bëjmë me një nga ato sulme që ose e ka orkestruar vetë, ose të tjerët i kanë “hedhur gështenjat në zjarr”, për interesat e tij politike. Më shumë sesa sjellje të denja për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të gjitha këto duken si sinopsisi i skenarit të një filmi të vjetër, por këtë radhë me titullin e ri; “Koncert në vitin 2020”!