Ilir Meta duke komentuar hapat e mazhorancës socialiste për të shmangur betimin tek presidenti të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, thotë se kjo Gjykatë po shndërrohet në një organizatë partie.
Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, Meta tha se po hidhet në erë reforma në drejtësi dhe se ai është i vetmi që po lufton, që kjo gjë të mos ndodhë.
“Më duhet të them se është për të ardhur keq që ndërmerren nisma të tilla që tregojnë mungesë respekti për shtetin ligjor dhe Kushtetutën që e kemi miratuar me 140 vota.
Është një kokëfortësi e cila nuk na ndihmon të rrisim besueshmërinë brenda dhe jashtë vendit se po zbatojmë në mënyrë të përgjegjshme reformën në drejtësi, aq më tepër për institucionin më të rëndësishëm siç është Gjykata Kushtetuese.
Të bësh një ligj mbi Kushtetutën, nuk është gjë tjetër vetëm se një përpjekje për të shndërruar Gjykatën Kushtetuese në një organizatë partie dhe për të hedhur në erë besueshmërinë e gjithë sistemit të drejtësisë.
Është presidenti, i cili gjithmonë ka bërë më të mirën që Shqipëria të mos ngelej asnjë orë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale.
Në rastin e fundit, është presidenti që ka bërë të gjitha përpjekjet për të mos cenuar integritetin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuta e ka të shkruar gërmë për gërmë radhën kushtetuese se si veprohet në këtë rast dhe Presidenti e respektuar dhe ka kërkuar bashkëpunimin e Kuvendit.
Është e qartë gjithë përpjekja e mazhorancës për të kapur edhe këtë institucion të fundit të pa kapur prej saj për qëllime afatshkurtra politike, duke hedhur në erë gjithë besueshmërinë e këtyre proceseve reformuese”, deklaroi Meta.