Brenda muajit Shkurt do të miratohen imazhet për paketat e duhanit, që do të zënë 65% të dy anëve të paketimit të duhanit, me foto që tregojnë dëmet që shkakton nga duhanpirja në shëndet. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës saj në Kuvend. “Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit do të vendosë brend Shkurtit për fotot dhe paralajmërimet -pictorials- në paketimet e duhanit. Paralajmërimet e kombinuara tekst dhe figurë do të zënë 65% të faqes ballore të paketimit të duhanit dhe po ashtu të faqes së pasme, duke zbatuar Direktivën 2014/40 EU”, tha Manastirliu.
Imazhet e reja do te vendosen në paketat e cigareve dy vite pas miratimit, për t’i lënë kohën e nevojshme biznesit për të bërë ndryshimet e duhura në paketimin e duhanit.
Duke deklaruar se masat kundër duhanpirjes janë shtuar, duke përfshirë edhe gjobat e reja, të shumëfishuara sipas ligjit të ri, Manastiriliu gjatë fjalës saj ka lëshuar një paralajmërim për të gjitha subjektet, sidomos ato që tregtojnë produket e duhanit afër shkollave. “Është fakt se viti 2019 shënon numrin më të lartë të gjobave të vendosura ne keto vite, me 466 masa administrative, nga të cilat dhjetra masa administrative prej 600 mijë lekë për shkelësit e përsëritur të ligjit. Ndërkohe,puna nuk do të ndalet, për të zbatuar ligjin, në të gjitha ambjentet që tregtojnë produkte të duhanit, sidomos puna do të fokusohet tek ambjentet afër shkollave, me zero tolerancë për subjektet që tregtojnë duhan, cigare elektronike apo shisha nargjile për të rinjtë”, tha Manastirliu.
Gjashtë muaj më parë u miratuan amendimet në ligjin “Për mbrojtjen e Shëndetit nga produktet e duhant”, duke përfshirë për herë të parë, njësoj si për duhanin, ndalimin e tij në ambientet e brendshme edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike, shisha /nargjile, që konsiderohen po aq të dëmshme për shëndetin e popullatës.Duke theksuar se progresi në luftën kundër duhanpirjes në këto vite ka qenë i dukshëm, Manastirliu citoi Progres Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2019 që dha këtë vlerësim në lidhje me zbatimin e ligjit: “Në lidhje me kontrollin e duhanit, Ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, i cili është përgatitur të jetë në përputhje me Acquis, është duke u zbatuar plotësisht”.
Megjithatë, Ministrja e Shëndetësisë e konsideroi sfidë zbatimin e ligjit të ri, me përfshirjen e të gjithë institucioneve të ngarkuara nga ligji në grupet e inspektimit, qoftë inspektoriati i punës, drejtoritë e taksave, inspektoriatet arsimore dhe policia,sepse gjithpërfshirja në këtë luftë të përditshme është thelbësore.
“Sfida jonë sot është me zbatimin e ligjit të ri, në të njëjtën masë për duhanin dhe nënproduktet e tij me zero tolerancë për shkelësit e ligjit dhe për shkelësit që nuk I druhen gjobës së parë apo të dytë, me deri në 6-fishim të masës së gjobës për këdo që sfidon ligjin në dëm të shëndetit të populate”, tha Manastirliu.