Interi i është kundërpërgjigjur ish-trajnerit Luciano Spalletti përmes një deklarate për shtyp, duke thënë se klubi i kishte ofruar atij t’i ndajnë rrugët, mirëpo ai s’kishte pranuar. Luciano Spalleti e mbajti një intervistë dje kur tha se ky sezon 2019/20 ka qenë i kompletuar për të, pasi që ai është ende i lidhur me Interin, përkundër që është zëvendësuar nga Antonio Conte verën e kaluar.
Ish-trajneri i Romës ka zbuluar se ai tani është duke e kërkuar një sfidë të re dhe ka thënë se nuk dëshironte të largohej nga ajo pozitë, mirëpo shtoi se është detyruar ta refuzojë ofertën e Milanit pasi që ka ende kontratë me zikaltrit. “Ka qenë një sezon veçanërisht intensiv, një sezon paksa i komplikuar. Nëse do të varej nga unë, s’do të isha ndalur asnjëherë. Është e lehtë të flasim për të ardhmen time: mua më duhet një tjetër sfidë si ajo që e kisha në vitet paraprake”, tha Spalletti. “Jam kontaktuar nga Milani, por, siç e dini, unë isha i shkarkuar. Ata [Interi] më paguan të qëndroj në shtëpi dhe unë kam qëndruar në shtëpi. Kishte disa arsye dhe në fund mbeti kështu”.
Megjithatë, tani zikaltrit i kanë reaguar Spallettit, duke sugjeruar se 60-vjeçari e kishte refuzuar ofertën e tyre për t’i ndarë rrugët me klubin. “Si shtesë ndaj dëmshpërblimit që është pranuar nga Zotëri Spalletti, klubi i ka propozuar atij një ofertë të mëtutjeshme ekonomike si nxitje për t’u larguar, por ajo nuk u pranua”, tha një zyrtar i klubit.