Situata me shpërthimin e “coronavirus” në Itali ka bërë që të përgjysmohen këtë fundjavë ndeshjet e Serisë A dhe të ekzistojë rreziku real për ndërprerjen e plotë të kampionatit nëse situata nuk normalizohet.Ndër të paktat skuadra që kanë qenë në fushën e lojës sot ishte Lacio, e cila u përball me Xhenoan, por Igli Tare bëri të qartë se për të tijtë nuk kishte probleme dhe nëse do të ndalej kampionati e ata të pushonin siç bënin ekipe të tjera.“Ka shqetësim, por masat duhen pranuar pasi mbrojnë interesin e njerëzve. Do të respektojmë çdo pozicion që del nga vendimmarrësit”, tha pak para fillimit të ndeshjes drejtuesi shqiptar i Lacios.
Ndërkohë, pas sfidës ishte trajneri Simone Inzagi ai që gjithashtu u shpreh në favor të ndërprerjes së kampionatit nëse ishte e nevojshme.“Për shkak të asaj që po ndodh, mendoj se është e drejtë që të merren masat e duhura parandaluese, të mundohet të mposhtet kjo situatë dhe të kuptohet ku është problemi edhe duke ndalur kampionatin, pasi nuk duhet nënvlerësuar ajo që po ndodh.Mendoj se po ecim në drejtimin e duhur në këtë moment. Me dyer të mbyllura? Absolutisht jo, futbolli është i tifozëve dhe me ditë si e sotmja me tifozë të shkëlqyer të Xhenoas dhe po ashtu të Lacios”, tha trajneri italian.