Çuni i Fahriut foli në studion e lajmeve të RTV Ora, ku bëri me dije analizën e PD mbi zhvillimet e fundit të përplasjeve mes Presidentit dhe mazhorancës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.Balliu thotë se qeveria e ka gabim dhe se presidenti ka të drejtë.Madje, ai thotë se qeveria e ka pranuar se ka shkelur Kushtetutën, duke botuar në Fletoren Zyrtare vendimin për Arta Vorpsin.Sipas tij, pas këtij rasti, e gjithë qeveria duhet të ishte rrëzuar, për t`i hapur rrugë hetimeve të drejtësisë. Por sipas tij, nuk jetojmë në një vend normal ndaj ndodhin gjëra të tilla.
“Është e rëndësishme që debati të përqëndrohet te faktet. Është e habitshme që institucioni më i lartë i vendit publikon dhjetëra dokumente që faktojnë shkelje të shumta ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, e cila tenton të vjedhi kompetencat e Presidentit duke vjedhur kështu Gjykatën Kushtetuese. Ka reaguar Taulant Balla, Etilda Gjonaj, Edi Rama, ka reaguar gati e gjithë qeveria dhe asnjëri nga ata nuk ka thënë që këto fakte e prova nuk janë të vërteta. Vetëm janë munduar të fyejnë figurën e Presidentit.
Ministrja e Drejtësisë ka shumë juristë aty, mund t`i përdorte këta për të shpjeguar se këto fakte nuk qëndrojnë. Por nuk e bën këtë sepse ato janë të vërteta.Praktikisht qeveria e ka pranuar, kjo qëndron. Këto letra janë dërguar. Dikush duhet të dilte nga qeveria dhe të thoshte se nuk ka punuar ditën e shtunë, të thoshte që këto letra nuk janë publikuar. I gjithë shteti u ngrit në këmbë për të publikuar një dokument të paligjshëm, në një shkelje flagrante të ligjit dhe Kushtetutë. këtu e gjithë qeveria duhet të binte. Ne nuk jemi shtet normal”, u shpreh Balliu i cili kërkon reagim për çdo “çmenduri” të Metës.