“Cilësia e Lionel Messit mbulon problemet që ka Barcelona”. Këtë gjë e thotë një ish-futbollist i skuadrës katalanase, që i njeh mirë gjërat atje, së brendëshmi, Malcom. Gjigantët e La Liga-s po kalojnë aktualisht një periudhë “testimi”, me sezonin 2019-2020 që nuk ka qenë ashtu siç ishte planifikuar. Është bërë edhe rokada e trajnerëve Valverde-Setien, ndërsa Real Madridi mban kreun e kampionatit spanjoll. Problemet që ekzistojnë në kampin blaugrana kanë nisur të dalin në pah, sikurse e dëshmoi përplasja verbale publike mes Messit dhe Abidal.
Thuhet se argjentinasi është i zhgënjyer me atë që po ndodh në “Camp Nou”. Malcom, i cili u largua nga Barça për te Zenit në verën e vitit 2019, pranon se prania e një superstari si argjentinasi i ndihmon katalanasit në çdo kohë t’i mbulojnë problemet reale. Ai tha për “Marca”: “Po, disa prej tyre, po, i mbulon përmes Messit. Por me Leo luajnë edhe Suarez, Griezmann, Rakitic, De Jong, Arthur, Vidal…, shumë lojtarë të tjerë. Nuk është vetëm Messi, por i gjithë grupi. Leo është lojtari më i mirë në botë; ndonjëherë bën gjëra të çmendura dhe e ndihmon shumë Barcelonën. Kjo është arsyeja pse ndonjëherë, kur flasin për Barcelonën, nënkuptohet Messi. Kjo është normale për shkak të gjithçkaje që ai bën.