U mbyll sot java e 23-të e kampionatit shqiptar, që si rrallë herë prodhoi shumë gola, 20.Kryefjalë e kësaj jave është Tirana. Bardheblutë fituan sfidën direkte me rivalët për titullin, Kukësin, duke përmbysur për 3 minuta dizavantazhin nga 1-0 në 2-1.Pas kësaj jave, Tirana merr kryesimin e Kategorisë Superiore me 44 pikë, ndërsa Kukësi lë sërish pikë, duke u detyruar të zbresë në vendin e dytë.
Bylisi i hoqi mundësinë e çmuar Partizanit për t’iu afruar Kukësit në renditje, duke arritur t’u heqë kampionëve të Shqipërisë fitoren në minutat e fundit të takimit.Megjithëse ballshiotët ende nuk kanë fituar një ndeshje në kampionat për vitin 2020, skuadra e Dovedan tregon se është skuadër që nuk dorëzohet dhe lufton deri në frymën e fundit.Javën e ardhshme kampionët në fuqi të vendit sfidojnë kryesuesen e kampionatit, Tiranën, një sfidë që përveç rivalitetit historik mes tyre ka sipër dhe peshën e titullit.
Skënderbeu mori fitore jetike përballë Teutës, takim i cili nuk do të ishte mbyllur me kënaqësi për bardhekuqtë nëse portieri Enea Koliçi nuk do t’i priste penalltinë mesfushorit të “djemve të detit”, Sherif Kallaku.Skuadra korçare vazhdon të përpiqet t’i largohet sa më shumë vendit të tetë në renditje.Vllaznia është kthyer pas 1 muaji te fitorja në kampionat duke shkatërruar 4-0 Luftëtarin në Shkodër.Shkodranët qëndrojnë në vendin e tetë me 31 pikë, zonë e play-off për të rënë nga Kategoria Superiore.
Fitorja me Luftëtarin në Gjirokastër javën e kaluar rezultoi vetëm një “flakë kashte” për Flamurtarin.Kuqezinjtë u mposhtën në Vlorë 1-3 nga Laçi, me kurbinasit që shpresojnë sërish se mund të marrin pjesë këtë sezon në Ligën e Europës pas frenimit që Bylisi i bëri Partizanit sot në kryeqytet 2-2.Më poshtë mund të shihni renditjen pas ndeshjeve të javës së 23-të.