Juventusi do të tentojë ta bindë trajnerin e Manchester Cityt, Pep Guardiolën, ta zëvendësojë Maurizio Sarrin në karrigen e trajnerit në Allianz gjatë sezonit të ardhshëm, sipas mediumeve angleze. Gazeta britanike The Sun raporton se presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, beson se Pep Guardiola është trajneri i përsosur që mund t’iu sjellë bardhezinjve sukses edhe në Evropë, pas dominimit që e kanë pasur në garat vendore gjatë dekadës së fundit. Këto spekulime vijnë vetëm rreth 24 orë pasi në Itali u raportua se Sarri mund të shkarkohet në fund të këtij sezoni, pasi që Juventusi dëshiron ta kthejë sërish trajnerin Massimiliano Allegrin, me të cilin i ndau rrugët në fund të sezonit të kaluar.
Por, për emërimin e Guardiolës në postin e trajnerit të Juventusit ishte spekuluar edhe më parë, kur u shkarkua Allegri. Mediumet italiane kishin raportuar se kampioni në fuqi i Italisë do ta kishte marrë Guardiolën e jo Sarrin nëse do t’i ishte dhënë mundësia. Guardiola veçse e di gjuhën italiane, pasi që kishte luajtur për Romën dhe Brescian, përderisa është shok i mirë edhe me disa trajnerë italianë, siç është vetë Sarri dhe Arrigo Sacchi. Spanjolli këtë sezon nuk është duke pasur aq sukses sa kishte shpresuar, pasi që duket se tashmë i është dorëzuar Liverpoolit në garën për titullin e Premierligës. Megjithatë, ai i ka dy tituj të Ligës së Kampionëve të fituara si trajner, me Barcelonën në vitet 2009 dhe 2011.
Pikërisht titulli i Ligës së Kampionëve është synimi kryesor i Juventusit, pasi që klubi italian s’ka arritur ta fitojë atë që nga viti 1996.