Qeverisja socialiste ka meritën e padiskutueshme në çlirimin e Universitetit të Arteve, duke i rikthyer frymëmarrjen e parë, me punët, që filluan pikërisht në vitin 2014, që shënoi ardhjen e Papa Françeskut në Tiranë. Kështu e ka nisur fjalën e saj në Kongresin e Partisë Socialiste, ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila përmblodhi punët e kryera në këtë sektor. “Nismat e ndërmarra nga ajo qeveri mendjehapur dhe vizionare, që shihte përtej shkëlqimit të përkohshëm drejt sfidave te reja, u kthyen edhe për mua në një forcë të madhe tërheqëse, për t’iu bashkuar pa hezitim punës për t’i dhenë frymëmarrje qytetit tim”, u shpreh ajo, duke sjellë në vëmendje sesi pak vite më parë, “kur ndiqja me entuziazëm nga jashtë kufijve, jehonën e ndryshimeve, që po çonte përpara qeveria Rama, më vjen ndër mend Universiteti i Arteve. Besoj se, përgjatë gjithë jetës së saj, kjo hapësirë nuk ishte gjendur ndonjëherë më e zaptuar se në vitin 2014”.
“E po ashtu, rikujtoj një vit më parë takimin tim, tashmë si Ministre e Kulturës, me artistët dhe studentet, që më kërkuan një ndërhyrje moderne për sallën e koncerteve”, u shpreh Margariti. “Sallën me akustikën më të mirë në Shqipëri, po ku artistët dhe publiku nuk mendonin dot për emocionet e bukura të shfaqjeve, por për të ftohtët në dimër dhe vapën e padurueshme në verë! Sfidës dyfish të vështirë, që nga njëra anë të ruhej e pacenuar trashëgimia kulturore, e nga ana tjetër të kishim një përgjigje per kërkesën e artistëve të ardhshëm, iu bashkuam si qeveri, duke bashkëfinancuar, së pari, restaurimin e ndërtesës historike, pjesë e memories sonë të përbashkët, të cilën ky vit i ri akademik do ta gjejë totalisht të rehabilituar”, tha ajo. “Pa hequr vëmendjen nga Salla e Koncerteve, ku për dekada nuk ishte ndërmarrë asnjë ndërhyrje, e ku ne sot po punojmë për projektin, që do i rikthejë hijeshinë e një tempulli arti, u shpreh Margariti.
“Por ambicja jonë, që në muajt e parë shkoi edhe më larg, ashtu si gjithmonë ka qenë fryma shtytëse e kësaj qeverie: Një Kampus i ri Universitar për Artet, për te cilin familja e artistëve ka tashmë një mbështetje të patundshme në Ministrinë e Kulturës. Një kauzë kurajoze, që vjen si jehonë e zërave të artistëve të fillimeve ’90, që me zjarrin e protestës, që ndezën brenda mureve të Universitetii, i çelën Shqipërisë rrugën drejt demokracisë. Ata protestuan edhe që fëmijët e tyre, pas 3 dekadash, të kenë hapësira, që në çdo qelizë të frymojnë liri”, u shpreh ajo. “Tashmë Qeveria ka miratuar skemën mbështetëse buxhetore për t’i dhënë jetë këtij kampusi, ku gjurmës historike i shtohen jo vetëm ambientet e reja të 4 fakulteteve, laboratorët, biblioteka vitale, por edhe 2 salla të reja multifunksionale. Një sipërfaqe prej 28 000 m2, nga do të përfitojnë jo vetëm 1300 studentë e pedagogë, por edhe qindra artistë e qytetarë, sot lexohen thjesht numra, që nuk arrijnë të shprehin emocionalisht, se si ky pol i ri kulturor do të pulsojë fuqishëm. Ky projekt lindi prej dialogut dhe ndaj meriton të kthehet në një hapësirë te përbashkët dialogu, pa mure mes Akademikes dhe Publikes”, tha ministrja Margariti.
“Arsyeja themelore që na shtyu drejt kësaj nisme nuk ishte vetëm realizimi i një ëndrre të kaluar nga brezi në brez, kthimi i dinjitetit të humbur kësaj hapësire dijeje dhe arti, por mbi të gjitha sfida që kjo qeveri i ka vënë vetes, në përmbushjen e aspiratave të një Shqipërie Europiane. Sot jemi këtu para jush, sepse i mbajmë premtimet. Por Kampusi i të ri Universitar nuk është thjesht një premtim, por një mesazh se Shqipëria është vendi i mundësive. Sepse fëmijët tanë pas 3 dekadash nuk mund dhe nuk duhet të përballen me të njëjtat sfida, që u përballën shumë prej jush në vitet ’90 e po njësoj ende ne sot”, përfundoi Margariti.