Legjenda e basketbollit, Kobi Brajant dhe e bija, bashkë me 7 persona të tjerë, humbën jetën më 26 Janar në një aksident tragjik me helikopter. Humbja e tyre la një boshllëk të madh te miqtë, kolegët, fansat, te i gjithë publiku e mbi të gjitha te familjarët.

Helikopteri ku ata udhëtonin qarkulloi për disa minuta në mjegull dhe më pas u rrëzua në Los Angeles. E shoqja e Kobit, Vanesa Brajant, ndonëse është shkatërruar emocionalisht por mundohet të qëndrojë e fortë për vajzat, po tenton të vendosë drejtësinë në vend. Ajo ka hedhur në gjyq kompaninë e helikopterit që u rrëzua.

Ajo ka dërguar një padi prej 72 faqesh në Gjykatën e Lartë të Los Angele, ku akuzon kompaninë “Islan Express” për neglizhencë dhe kërkon dëmshpërblim prej saj. Vanesa shprehet se piloti i ka dhënë helikopterit me shpejtësi të lartë në kushte të pafavorshme të motit dhe akuzon kompaninë që ka lejuar ngritjen e tij.