Nga Mustafa Nano
Pardje u mblodh në Bruksel një forum i rëndësishëm ndërkombëtar që ne e kemi quajtur Konferenca e Donatorëve, ku u mblodhën 1.15 miliard euro për Shqipërinë e goditur, të dërrmuar, të traumatizuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Fillimisht u krijua ideja e një mrekullie sepse u la të kuptohej që bëhej fjalë për 1.15 miliardë euro donacione. Ne pamë kryeministrin Rama të shokuar, të emocionuar, të shastisur. Pamë kryeministrin Rama që foli për hudhra dhe të enormen sysh, pamë në të njëjtën kohë një gjë që nuk e kishim parë kurrë këto 30 vitet e fundit. Pamë opozitën që mbeti pa fjalë, mbeti absolutisht pa fjalë, dhe kjo ishte një gjë e paprecedentë.
Në këto rrethana kam përshtypjen që edhe të tjerët kanë bërë të njëjtën gjë që bëra edhe unë, unë vura në dyshim dijet e mia në fushën e leksikut, dhe zura të shfletoja për të verifikuar këto dije. Zura të shfletoja fjalorët e Oksfordit dhe të Kembrixhit madje edhe fjalorët e Kostallarit për të parë nëse fjala “donacion”, fjala “grante” dhe fjalë të tjera, që përdoreshin dje, kishin atë kuptim që dija unë apo jo. Në fakt verifikova se dijet e mia ishin të sakta, që donacionet ishin ashtu si unë e dija që ishin. Që do të thotë, para, mallra apo gjëra dhe një si me vlerë që i jepen një personi ose disa personave, ndoshta një kombi apo organizate, në rrethana që këto të fundit janë goditur nga një fatkeqësi e madhe, nga një tragjedi e madhe.
Por situata u sqarua më vonë, në orët e mbrëmjes kam dëgjuar ministrin e qeverisë Rama, Arben Ahmetajn, i cili sqaroi që nuk bëhet fjalë që 1.15 milion euro të jenë donacione, vetëm një pjesë e tyre janë donacione. Donacione janë 400 milion euro, pjesa tjetër janë hua dhe kredi të buta të cilat i jepen Shqipërisë nga qeveritë e vendeve të ndryshme, nga bankat e ndryshme, për projekte të ndryshme investimi, qeverisë shqiptare, shumica e të cilave nuk ekzistojnë ende në letër. Kjo do të thotë se nuk dihet se do të merren këto para, kjo do të thotë gjithashtu se një ditë këto para do të kthehen madje do të kthehen me interesa, sipas një % të ulur duhet thënë sepse janë kredi të buta.
Kjo do të thotë më në fund se Konferenca e Donatorëve nuk ishte një konferencë thjesht donatorësh por ishte një konferencë edhe kreditorësh. Lind pyetja ajo që ndodhi dje ishte një dështim ? Jo, absolutisht jo. Ishte një sukses! Ishte absolutisht një sukses, ishte sigurisht më i vogël se sa e bënë fillimisht por ishte shumë më i madh se sa pritej dhe mendohej. Madje duhet thënë se ishte një sukses personal i kryeministrit Edi Rama i cili ka qenë i vetmi show man në gjithë këtë spektakël prej muresh qysh nga momenti që ndodhi tërmeti. Ky ka qenë një sukses i kryeministrit Rama sepse ishte ai që ia doli ta mblidhte këtë forum ndërkombëtar, ishte ai që bëri bashkë një numër të madh shtetesh, qeverish, organizatash, dhe bankash ndërkombëtare.
Ishte ai që evidentoi, në mënyrë ndjellëse, tërheqëse, përmasat e tragjedisë që u shkaktua prej tërmetit. Ishte ai që diti ta ekspozojë në forum ë gjithë këtë tragjedi që ndodhi. Ishte ai mendoj unë, që bëri që u mblodhën ato para që u mblodhën. Në këto rrethana mendoj se ky është një rast i mirë që ne këtë fatkeqësi që na ndodhi ta shndërrojmë në një shanse këtu kryeministri Rama dhe Qeveria kanë në dorë shumë për të bërë, në mënyrë që këtë fatkeqësi ta shndërrojnë në shans, pyetja është: A do tja dalin ta bëjnë këtë gjë? Kjo është një pyetje, përgjigjen e të cilës nuk e kemi dot tani. Këtë përgjigje do ta marrim vesh muaj më vonë.