Të premten, dy robotë kanë filluar punë në Spitalin e Bashkimit të qytetit Wuhan, duke dërguar ushqime dhe ilaçe për pacientët në dhomat e karantinës. Ata janë ndër shumë robotë inteligjentë që janë vënë në përdorim në luftën kundër epidemisë së COVID-19 në Kinë. Këta robotë me gjatësi prej 1.2 metrash, quhen Lele dhe e ndihmojnë stafin mjekësor për dërgimin e ushqimeve dhe ilaçeve, si edhe japin ndihmë në logjistikë, dezinfektim, marrjen e veshjeve dhe hedhjen e mbeturinave mjekësore.
Robotët janë prodhuar nga një ndërmarrje në Shenzhen dhe mund t’u shërbejnë 4 dhomave brenda 1-3 minutash. Ata mund të lëshojnë sinjal për ushqim dhe me ndihmën e tyre pacientët mund t’ua kthejnë shpejt termometrat infermiereve. Me funksionet automatike të dezinfektimit dhe pastrimit, robotët mund të bëjnë spërkatje me alkool ose të pastrojnë me një leckë dezinfektuese. Tani, mbi 30 robotë dezinfektimi të prodhuar nga një ndërmarrje në Shangai po punojnë në pavijonet e izolimit e të mjekimit intensiv, në sallat e operacionit dhe klinikat e sëmundjeve infektive në spitalet kryesore të Wuhan-it.
Më 6 shkurt, një robot i prodhuar nga kompania “Jingdong Logistics” kreu dërgesën e parë mjekësore në spitalin nr. 9 të Wuhan-it, ku janë shtruar shumë pacientë të infektuar, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Me teknologji moderne si automjetet pa drejtues, navigimi inteligjent dhe ndërkomunikimi mes njeriut dhe kompjuterit, gjithnjë e më shumë robotë po japin kontribut në luftën kundër koronavirusit. Sipas stafit mjekësor, robotët inteligjentë si Lele kanë pakësuar shumë konsumin e pajisjeve mjekësore, kanë lehtësuar trysninë mbi punonjësit mjekësorë dhe kanë ofruar mbrojtje maksimale për pacientët dhe personelin mjekësor./Marrë nga CRI