Kompanitë e transportit që shpërndajnë mallra nga Kina në vendet e tjera të botës njoftojnë se kanë reduktuar numrin e mjeteve detare, teksa masat për ndalimin e përhapjes së koronavirusit kanë gjymtuar kërkesën për mallra nga Kina dhe rrjedhimisht kanë trazuar zinxhirin global të furnizimit. Rreth 80% e tregtisë botërore të mallrave kryhet në rrugë detare ndërsa Kina ka 7 nga 10 portet më të rëndësishme të kontenierëve në botë, sipas Konferencës së Tregtisë e Zhvillimit në OKB. Gjithashtu Singapori e Korea e Jugut fqinje kanë nga një prej këtyre mega-pikave secila.
“Mbyllja e motorit prodhues të botës ka pasoja të gjera në transportin e kontenierëve, që është një faktor çelës në zinxhir inter-aziatik deh global të furnizim”, tha Peter Sand, krye-analist në shoqatën botërore të transportit BIMCO. “Kjo do të prekë shumë industri dhe do të kufizojë kërkesën për mallra”, shtoi ai.
Çdo gjë nga automjetet, makineritë, veshjet apo mallra konsumi transportohet me konteinerë dhe trazirat e kësaj industrie prekin vende jashtë Kinës. Prodhuesi i makinave Hyundai ka pezulluar prodhimin në Korenë e Jugut dhe disa anije nuk mund të ankorohen në portet kineze prej bllokimit. Të tjera mjete kineze po qëndrojnë pa u ankoruar pasi janë shpallur “në karantinë pluskuese” duke pritur të marrin lejen në ujërat pranë Australisë e Singaporit.