Kryeqyteti është tregu kryesor i investimit në pasuri të paluajtshme, sipas të dhënave mbi kreditimin. Tirana është qyteti me nivelin më të lartë të vlerës së kredisë për blerje banesash gjatë vitit 2019. Qarku i Tiranës zë pothuajse 70% të kredive për blerje banesash të dhëna nga sistemi bankar shqiptar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia për shtëpi në kryeqytet arriti në 80 miliardë lekë ose 655 milionë euro vitin e kaluar.
Krahasuar me vitin 2018, portofoli i kredisë u rrit me 6 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro. Ndërkohë normat e ulëta të interesit për këtë kategori kanë favorizuar huadhënien duke e konsideruar blerjen e banesës edhe si një formë investimi. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, interesi mesatar i kredive për blerje banesash, si për lekun, ashtu edhe për euron, ishte pranë nivelit 3.3%.
Kredia për blerjen e banesave është produkti me raportin më të ulët të kredive me probleme për sistemin bankar. Ky tregues vlerësohet të ketë arritur në më pak se 5% gjatë vitit të kaluar.