Qytetarët e Tiranës, të interesuar për të qenë përfitues së programit të subvencionit të kredisë, duhet të paraqiten pranë njësisë administrative ku banojnë për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit brenda datës 17 mars. Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social në bashkinë e Tiranës, Anisa Subashi, tha në një intervistë për ATSH-në se formulari që ata duhet të plotësojnë është shumë i thjeshtë ndërsa janë 3 kategori kryesore të cilat kanë prioritet në këtë program.
“Programi i subvencionit të kredisë ka filluar që më datë 17 shkurt dhe për fazën e parë të gjithë qytetarët e Tiranës duhet të paraqiten në njësitë administratë të plotësojnë formularin e strehimit. Formulari i strehimit është një formular shumë i thjeshtë, është me vetëdeklarim ku të gjithë qytetarët deklarojnë të dhënat personale, të ardhurat dhe strukturën familjare. Ky program i cili realizohet me bashkinë Tiranë dhe ministrinë e Financave është i hapur për të gjithë qytetarë e Tiranës por prioritet ne i kemi dhënë 3 kategorive kryesore që janë: çiftet e reja, komunitetin rom dhe gratë kryefamiljare ose gratë e dhunuara. Por, kjo nuk i përjashton të gjithë kategoritë e tjera që në sistemin e pikëzimit edhe ato kanë pikët e tyre për t’u vlerësuar. Sa i përket të ardhurave, ata duhet të kenë të ardhura që nuk i kalojnë 1000 po flas me të vjetra këtu, apo 115 të reja dhe minimumi i të ardhurave duhet të ta kenë 31 mijë lekë. Përfitues do të jenë një mijë familje. Është një numër i konsiderueshëm që mendoj që në këtë periudhë me gjithë programet e ndryshme që ne kemi ofruar për qytetarët e Tiranës, është një program i cili ndihmon pjesë të konsiderueshme të familjeve në qytet”, -shpjegoi Subashi.
Por, si do të funksionojë procedura pas dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit dhe çfarë dokumentesh duhet të dorëzojnë aplikantët? Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social në bashkinë e Tiranës tha se “në fazën e parë, pra kanë afat një muaj, pra deri në 17 mars të aplikojnë një njësinë administrative ku ata banojnë. Më pas në fazën e dytë, pasi në drejtorinë e Strehimit këtu në drejtorinë e Shërbimit Sociale bëhet dhe verifikimet dhe shihet nëse këta individë nuk kanë pronë, sepse ky është kriteri bazë që ata nuk duhet të kenë një pronë të tyre dhe shihet edhe niveli i të ardhurave. Më pas kalojnë në fazën e dytë ku atë çfarë ata kanë deklaruar duhet t’i plotësojnë me dokumentet përkatëse duke patur parasysh strukturën familjare, certifikatë familje, vërtetim pronësie ose nëse është një grua e divorcuar dokumenti i cili ai e deklaron që është i divorcuar ose i dhunuar. Pra, në varësi të kategorisë plotësohen dokumentet përkatëse”.
Risia e këtij viti për këtë program sipas Subashit, është fakti se numri i bankave i vënë në dispozicion është 3 dhe jo 1 siç ka funksionuar më parë. “Risi kemi që ne nuk kemi një bankë më të të cilën kemi bashkëpunim por janë 3 banka dhe ajo çfarë duhet theksuar është që afati i pagesës ndryshon nga secila banke duke filluar nga 30-35 vjet, ku të gjithë qytetarë kanë të drejtë të paguajnë interesin. Interesi është 3% dhe kjo është në favor të të gjithë qytetarë dhe pjesa tjetër paguhet nga buxheti i shtetit dhe bashkia e Tiranës.
Ne mendojmë të funksionojmë dhe ecim me këtë linjë por nëse do të shohim që kemi shumë aplikime patjetër që qeveria dhe pushteti vendor, ne si bashki shikojmë nëse është e mundur të hapim një thirrje më vonë”, -u shpreh Subashi për ATSH-në. Drejtoresha e Shërbimit Social pranë bashkisë së Tiranës tha se qytetarët e Tiranës mund të marrin informacion pranë çdo njësie administrative lidhur me programin e kredisë së butë.a