Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimin në projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që ka për qëllim që të godasë dhe të izolojë grupin e quajtur ndryshe ‘KÇK’, ‘kap çfarë të kapësh’. Projektligji u miratua në seancën e sotme plenare me 84 vota pro, 4 abstenim dhe 15 kundër. Tashmë me këtë projektligj që u miratua kompetencat e ILD-së që ende nuk është ngritur pas zgjedhjes së kryetarit, i kalojnë KLGJ-së dhe KLP-së për 6 muaj për marrjen e masave ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve brenda tre ditëve.
Ankesa mund të bëhet nga çdo individ, i cili mund të identifikohet ose të mbetet anonim. Deri kur të ngrihet Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ankesat do të bëhen pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Nëse konstatohet se ka shkelje gjyqtari mund të pezullohet për tre ditë duke mos zvarritur procedurën. Kështu nëse më parë pezullimi i prokurorit dhe gjyqtarit kërkonte deri në një vit kohë, pra deri kur të përfundonte hetimi disiplinor, tashmë pezullimi mund të behet për tre ditë.
Me 86 vota pro dhe 13 kundër, shumica ka miratuar projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar” që i merr Presidentit Ilir Meta të drejtën e betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Me ndryshimet që u miratuan sot, Presidenti Ilir Meta ka 10 ditë afat për të thirrur në ceremoni betimi një gjyqtar, nëse nuk e bën atëherë gjyqtari e dërgon vetë betimin me shkrim. Por pse u miratua ky ligj? Shumica e ndërmori nismën pas ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, pasi Meta nuk thirri për betim Arta Vorpsin dhe për pasojë ajo nuk u bë anëtare e Kushtetueses.
Gjithashtu sot u miratua me 87 vota pro, 1 kundër dhe 6 abstenim, edhe një projektvendim me procedurë të përshpejtuar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019 “Për administrimin e pasurive te sekuestruara e te konfiskuara”. Nisma ndryshon ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, i miratuar vetëm disa javë më parë. Nisma parashikon zbatimin e këtij ligji edhe pasuritë e sekuestruara nga Operacioni Forca e Ligjit, ku Agjencia do të menaxhojë edhe këto pasuri të sekuestruara.
Gjithashtu, Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar do të mbikëqyrë veprimtarinë e agjencisë së administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara si dhe vendos për destinacionin e pasurive të krimit. Sa i takon përfundimit të pasurive të konfiskuar, me marrjen e vendimit të formës së prerë nga gjykata për konfiskim, pasuritë kalojnë në pronësi të shtetit. Një tjetër projektligj i miratuar sot ishte edhe ai për ushqimin me 90 vota pro, projektligji për të huajt dhe për shpronësimet.