Lajm i rëndësishëm për futbollin shqiptar. Komiteti i HatTrick në UEFA, i cili është padiskutim promotori i investimeve në futboll dhe për zhvillimin e klubeve dhe infrastrukturës, ka vendosur që mbledhjen e radhës ta zhvillojë në Tiranë, në datën 1 tetor. Komiteti në fjalë ka më shumë se një dekadë që vepron dhe bilanci i investimeve prek 2 mld eurot në sezon, por që gjithashtu ka premisa që kjo shifër të arrijë deri në 2.4 miliardë eurosh deri në vitin 2024.
Kujtojmë që Armand Duka, kreu i FSHF, mban aktualisht postin e nënkryetarit të HatTrick. Propozimi për të organizuar mbledhjen e radhës në Shqipëri vjen nga kryetari i komisionit, Karl-Erik Nilson, teksa sigurisht që gjithçka pritet të zhvillohet në selinë e re të FSHF, te ish-kompleksi Dinamo.
Letra e Karl-Erik Nilson drejtuar Dukës I dashur z. Duka, Uroj që kjo letër t’ju gjejë mirë. Paraprakisht më lejoni të shpreh në emër të Komitetit HatTrick të UEFA-s dhe timen personale mirënjohjen për dakordësinë nga ana juaj për të mikëpritur takimin e ardhshëm të Komitetit, Tetorin e këtij viti në Tiranë, në selinë tuaj të re, Shtëpinë e Futbollit.
Takime të këtij niveli ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për të prezantuar sfidat dhe arritjet e Federatave tona përmes mbështetjes së këtij programi të rëndësishëm të UEFA-s në fushën e investimeve dhe incentivimit. Me shumë dëshirë pres të takohemi në Tiranë, të vizitoj selinë tuaj të re dhe të njihem nga afër me zhvillimet e futbollit shqiptar. Sinqerisht Juaji, UEFA Karl-Erik Nilsson Kryetar i Komitetit HatTrick