Duke filluar nga 1 janari i 2020-s, dokumentacioni për përfitimin e lejes së lindjes së punonjësve nga biznesi duhet të plotësohet online, nëpërmjet shërbimit elektronik “Kërkesë për shpërblim lindje për personat e punësuar” tek e-Albania. “Monitor” ka sqaruar hapat që duhet të marrësh për të përfituar lejen e lindjes, të cilat janë si më poshtë: Fillimisht duhet të kryhet procesi i regjistrimit në platformën e-Albania, prej titullarit të institucionit (përfaqësuesit ligjor të tij), nëse nuk është kryer më herët kjo procedurë.

Titullari, nga llogaria e tij personale tek e-Albania, identifikohet në portal dhe më pas duhet të drejtoheni te rubrika “Hapësira ime” e më pas te nënrubrika “Regjistro nje biznes”, duke plotësuar me të dhënat e institucionit formularin që shfaqet online. Më kryerjen e regjistrimit si biznes në portal, duhet të kryhet identifikimi si biznes në platformë, duke zgjedhur opsionin “Identifikimi i qytetarëve/bizneseve me fjalekalim” dhe të vendoseni tek Kodi i Përdoruesit NIPT-in e institucionit dhe fjalëkalimin e zgjedhur për këtë llogari online. Me identifikimin me sukses në platformë, duhet zgjedhur shërbimi elektronik: “Kërkesë për shpërblim lindje për personat e punësuar” dhe të nisë aplikimi online duke klikuar butonin “Përdor”.

Nëse bëhet fjalë për një aplikim që duhet të kryhet rishtazi, përdoruesi i shërbimit duhet të klikojë butonin “Aplikim i ri”, ku menjëherë do t’i shfaqet formulari online. Në fillim do të zgjedhë drejtorinë rajonale të qarkut ku ndodhet dhe vepron, ndërkohë që në seksionin e parë të formularit të dhënat janë plotësuar automatikisht për subjektin, falë ndërveprimit të sistemeve elektronike të institucioneve shtetërore të përfshira në procedurë. Në seksionin e dytë të formularit, punëdhënësi vendos numrin identifikues të punonjësit që do të përfitojë shpërblimin duke mundësuar plotësimin automatik të të dhënave.

Në pjesën e tretë të formularit, zgjidhet nëse shpërblimi është përpara lindjes ose pas lindjes, duke e shoqëruar opsionin e dytë edhe me numrin ose numrat identifikuese të fëmijës ose fëmijëve të lindur; zgjidhet muaji specifik për kalimin e shpërblimit dhe mënyrën që do të merret, nëse do të jetë nëpërmjet postës apo bankës. Në fund të aplikimit ndodhen dokumentet shoqëruese që duhet të sigurojë punëdhënësi, i cili i ngarkon ato në platformë, specifikisht: Raporti mjekësor për barrëlindje apo dokumente të tjera shtesë në varësi të situatës. Pas plotësimit të formularit, ngarkimit të dokumentacioneve dhe klikimit të butonit “Apliko”, procedura rezulton e kryer nga ana e aplikantit. /Monitor