Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot në Kuvend lidhur me ndryshimet në ligjin që u lehtëson procedurat të huajve të vijnë në Shqipëri se “në kushtet e një super sipërmarrjeje që kemi marrë për procesin e rindërtimit, duhet ta dimë që në ditët në vijim do fillojmë të ndërtojmë 15 mijë apartamente brenda 15 muajve, mund të bëhen vetëm me forcën e punës së vendit, nuk bëhen dot”.

Duke reaguar ndaj fjalës së mbajtur nga deputeti i opozitës parlamentare Ralf Gjoni, Balla theksoi se “viza elektronike do të jetë një dokument me të njëjtat cilësi dhe garanci sigurie sikurse i kanë vendet më strikte në këtë këndvështrim. Në cilën gërmë të ligjit ka ndryshuar procedura për dhënien e vizës për qytetarët e huaj? Nuk ka ndryshuar aspak. Procedura e dhënies së vizës për qeverinë shqiptare është e sanksionuar edhe në marrëveshjen për liberalizimin e vizave që ne kemi me BE-në dhe ruajmë të njëjtën procedurë”.

Balla u shpreh se “për ata që nuk e dinë që nuk kanë nerva të lexojnë e kohë të lexojnë ka një procedurë që kalon përmes shërbimeve inteligjente. Nuk ka ndryshuar asgjë. Vëmendjen që kemi për qytetarët shqiptarë e kemi edhe për ata që duan të vijnë të harxhojnë para në Shqipëri për turizëm t’u themi që qytetari i vendit x, të sorollatet dhe ia kemi bërë më thjeshtë duke aplikuar online”.

“Shërbimi ynë i kufirit në bashkëpunim me Shërbimin Konsullor në Ministrinë e Jashtme do t’i marrë në verifikim, e do të vlerësojë që nuk paraqet risk për sigurinë e vendit për emigrantë të paligjshëm, i ke paratë e mjaftueshme për të shpenzuar në hotelet e Vlorës, Durrësit e ku do ti, dhe padyshim për ata që nuk e dinë ne kemi strukturë shtetërore që i verifikon ditën kur hyjnë e kur ikin”, – tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla theksoi se “ka një përqasje që nga presidenti Ilir Meta që u qan hallin shqiptarëve që po ikin, qajnë edhe ca të tjerë që, qan Luli. Jetojmë në një ekonomi globale dhe parimet e ekonomisë globale dhe ekonomisë së tregut janë parime të ndërtuara në bazë të kërkesës dhe ofertës. Nuk është aspak e vërtetë që do të vijnë të huajt dhe do t’i zënë vendin e punës shqiptarëve”.

Balla sqaroi se “ligji nuk fillon e mbaron këtu sepse ligji nuk zbatohet kurrë pa dalë aktet nënligjore, qeveria në komisione e ka garantuar Kuvendin e Shqipërisë se do të jetë shumë strikte për sa i përket dokumentacionit dhe cilësisë konfidenciale. Viza elektronike do të jetë një dokument me të njëjtat cilësi dhe garanci sigurie sikurse i kanë vendet më strikte në këtë këndvështrim”.

“Ne bashkëpunojmë në mënyrë të suksesshme sot që flasim me agjencitë më të specializuara europiane ne jemi vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që kontrollojmë kufijtë tanë me BE-në. Jemi vendi model thotë BE për sa i përket këtij bashkëpunimi. Mos harroni një shprehje që nacionalizmi i tepërt është streha e fundit e atyre që nuk duhet të jetë askush prej nesh. Ne nuk i shërbejmë Shqipërisë duke thurur vargje, por duke bërë punë që i shërbejnë qytetarëve shqiptarë. Ky proces do i sjellë këtë vit Shqipërisë, më shumë turistë se se viti i kaluar edhe pse turizmi në Shqipëri mund të ishte afektuar për shkak të tërmetit. Këtu do jemi, turizmi do të rritet”, – u shpreh Balla.