Kryeministri Edi Rama në repartin RENEA ku është trajnuar Njësia Operacioni Forca e Ligjit, foli edhe për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.Në mënyrë indirekte, ai sulmoi edhe gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha që pak javë më parë me një vendim i hoqi dënimin përjetë Indrit Dokles, anëtar i bandës së Durrësit dhe e liroi në shërbim prove.

“Persona me dënim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet. Më vjen mirë që ndërkohë që na duhet të gjithëve, ju të parëve, por edhe ne të vuajmë fyerjet dhe lëndimet nga vendimet e gjykatësve sikur ishte rasti i fundit i gjyqtares pa tru, pa sy, pa veshë dhe zemër por vetëm me xhep që kanë sjellë lirime monstrash. Ndërkohë që sot jemi të vetëdijshëm që do të vuajnë akoma se janë akoma gjyqtarë dhe prokurorë që e dinë se nuk do ta kalojnë vettingun dhe jetojnë nën togën e zezë sikur të ishte dita e fundit e pazarit të madh të gjësë së gjallë, me moton “kap ca të kapësh”.Edhe për ta kjo paketë ka një ilaç. Edhe ata, edhe këtë ua them juve këtu, do të përgjigjen në mos sot nesër, pasi një lloj si sot erdhi koha të përgjigjen të fortët dhe të paprekshmit e këtij vendi për të gjitha pasuritë e tyre, do të vijë edhe për ata.
Vetingu nuk është gjykatë apo prokurori dhe nuk ka për detyrë të ndëshkojë ata që kanë vënë pasuri marramendëse duke e përdorur cekicin për të thyer kafkën e drejtësisë, por është vetëm faza kur ndahet i njomi me të thatin dhe faza kur ata që nuk justifikojnë pasurinë largohen dhe ata që dalin të pastër si anëtarët e SPAK-ut dhe nga nesër janë sistemi i ri që do u kërkojnë subjekteve të ligjit të provojnë ata burimin e pasurisë së tyre jo më të stërmundohet gjithë policia, por ta provojnë vetë. Në shumicën e herëve janë kriminelë dhe jo gjykatës” tha Rama.