Nga Alfred Peza
Që kemi në proces një luftë të ftohtë mes Bashë e Metës, kjo dihet nga të gjithë tashmë. Por pyetja që shtrohet është se çfarë roli po luan Berisha në këtë përplasje për lidershipin e opozitës mes tyre? Duke qenë një film me tri aktorë kryesorë, ky zhvillim i ri po shndërrohet në trilemën kryesore për zgjidhje brenda kampit të minorancës politike në Shqipëri. Ilir Meta pasi e mbylli ciklin 30 vjeçar të një karriere ku i arriti të gjitha postet më të larta politike, kërkon që të ristartojë nga e para përmes një lëvizje të re politike.
Lulzim Basha ka 6-7 vite që udhëheq opozitën, ndërkohë që Meta ishte Kryetar Parlamenti dhe President. Ndaj, me të drejtë pret që të provohet edhe ai njëherë si Kryeministër, siç Meta dhe Berisha kanë qenë më parë. E që ta realizojë këtë, ai duhet të jetë doemos lideri kryesor i opozitës përballë Edi Ramës. Basha ka si avantazhin e vet kryesor, faktin se drejton partinë më të madhe të opozitës sonë, ndaj e ka marë me qetësi këtë punë. Ndërsa, Ilir Meta ka me vete këtë radhë veç historinë e tij personale politike, sepse as LSI dhe as forca e tij e re politike që mund të krijohet, nuk e avantazhojnë. Ndaj për ta kompensuar fuqinë e numrave, ka kaluar në pozitat e një ekstremisti të zhurmshëm.
Pikërisht këtu duhet kërkuar edhe thelbi i konfliktit mes tyre për lidershipin e opozitës shqiptare. Ajo përplas fort ambicjen e Metës dhe domosdoshmërinë jetike të Bashës që e sheh veten Kryeministrin e radhës të së djathtës. Ndaj sa më shumë i afrohemi 2 marsit, aq më mirë kuptohet se lëvizja e Presidentit është thjeshtë pjesë e një luftë e brendshme. Çështja është se kush do jetë lideri i ri i opozitës, pasi Ilir Meta të shkarkohet si Kryetar Shteti. Ajo që e komplikon zgjidhjen e këtij ekuacioni politik, është se nga do anojë Sali Berisha. Logjika e do që të jetë përkrah pasaardhësit që ai e caktoi vetë në krye të PD.
Por qëndrimet e Berishës aktualisht përkojnë më shumë me ato ekstreme të Metës, sesa me rrugën e butë që po ndjek Basha. Ky mund të lexohet si një avantazh i Metës për momentin. Por në terma më afatgjatë, pikërisht këtu duhet parë edhe pika më e dobët e Presidentit. Sepse nesër, opozitarët më shumë do ti besonin rrugës revoluacionare të Berishës, duke votuar delfinin e tij në Krye të PD. Sesa ti besonin Metës lidershipin e së djathtës. Për ta do ishte më mirë një pasaardhës i keq i Berishës siç është Lulzim Basha, sesa një aleat i tij i sotëm siç është Ilir Meta, i cili nesër mund ti lerë sërisht në baltë, siç bëri më 2013! Berisha e di shumë mirë këtë, ndaj po luan siç di veç ai, këtë lojë tinzare mes të dyve. Sepse shtëpia e tij, është në fund të fundit, më e rëndësishme se ajo e Ilir Metës.