Dita e Brexitit është një “sinjal alarmi historik” për Evropën që të jetë më e thjeshtë dhe demokratike, tha presidenti francez Emmanuel Macron, vetëm pak orë pasi që Britania e Madhe edhe zyrtarisht do të largohet nga Bashkimi Evropian. Ai tha se asgjë nuk do të ndryshojë “në mënyrë praktike” lidhjet mes Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, por ka paralajmëruar se “nuk do të jenë marrëdhënie të njëjta”, duke shtuar se “populli britanik vendosi të largohet nga Bashkimi Evropian” dhe se sipas tij “nuk do të kenë më të drejta të njëjta”.
Ai këto komente i bëri nga pallati presidencial Elysse në Paris, ku ditën e premte e quajti “dita që flet”. “Është një sinjal alarmi historik që duhet ta dëgjojë secili shtet i yni dhe të dëgjohet nga çdo evropian dhe të na bëjë të mendojmë”, shtoi ai. Macron tha se 27 vendet tjera të BE-së duhet ta bëjnë Evropën më “sovrane dhe demokratike, të jenë më të afërt me qytetarët e tyre dhe më të thjeshtë me qëllim që të mund të rindërtojnë projektin evropian”. “Është një ditë e pikëlluese, që nuk duhet ta fshehim. Gjithashtu është një ditë që duhet të na tregojë se duhet të vazhdojmë ndryshe. Të ndërtojmë me përkushtim dhe me efektivitet më të madh Bashkimin Evropian”, shtoi presidenti francez.