Koordinimi mes policisë kufitare dhe njësisë vendore të shëndetësisë, në zbatim të masave të Task-Forcës së ngritur nga Ministria e Shëndetësisë, ka mundësuar intensifikimin e kontrolleve në pikat kufitare për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi njësinë e shëndetësisë në Portin e Vlorës, ku janë marrë masat për zbatimin e protokolleve ndërkombëtare për pasagjerët e dyshuar si dhe pajisja me logjistikën e nevojshme.
“Përmirësimi i survejancës aktive është shumë i rëndësishëm, në përputhje me rregulloren ndërkombëtare të shëndetit. E rëndësishme është që shërbimi është 24/7 dhe bashkëpunimi me epidemiologun është i vazhdueshëm për ndjekjen e rasteve”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë rikonfirmoi gjatë inspektimit në portin e Vlorës se, sipas shkallës së rrezikut dhe planet do të jenë të ndryshme, për të përballuar çdo situatë. Në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe portuale, aktualisht ka survejancë të përforcuar dhe masa higjieno-sanitare të shtuara. Pas mbledhjes së dytë të Task-Forcës për koronavirusin e ri, në përgjigje të emergjencës globale të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë janë marrë masa për të rritur kontrollin, gjurmimin e rastit dhe izolimin e tij si dhe gjendjen e karantinës nëse do jetë e nevojshme.
Shqipëria vijon të mbetet vend me rrezikshmëri të ulët dhe nuk ka asnjë rast të koronavirusit të ri në Shqipëri. Në zbatim të relomandimeve të OBSh-së, Ministria e Shëndetësisë ka rritur këshillimin për qytetarët tanë, që të mos udhëtojnë drejt Kinës, nëse nuk e kanë të domosdoshme.