Projekte serioze për banorët e 15 fshatrave në njësitë administrative Derjan, Rukaj e Macukull në bashkinë e Matit.
Kryebashkiaku Agron Malaj gjatë një takimi me administratorët dhe kryetarët e fshatrave Derjan, Barbullej, Urxallë, Dukagjin, Gjoçaj, Lami Madh, Laç, Urakë, Prell, Bruç, Rukaj, Rremull, Macukull, Dejë Macukull, Shëlli, Shqefën e Vig dha lajmin e mirë se projekti për ujësjellësin e Zallë Gjoçajve është dorëzuar pranë institucioneve shtetërore dhe pritet financimi për ndërtimin e tij.
“Pas shumë dekadash banorët e këtyre fshatrave do të kenë ujë të pijshëm. Ky investim u vjen në ndihmë banorëve të Derjanit, Rukajve e Macukullit, duke zgjidhur një shqetësim jetik”, nënvizoi Malaj.
Ndërkohë administratori i firmës që po ndërton HEC-in e Zallë Gjoçajve, Bardhyl Muceku tha se për fshatrat Lami i Madh, Melth, Gjoçaj e Zallë Gjoçaj ka nisur puna për ndërtimin e rrugëve dhe rrjetit të ujësjellësit dhe vaditës për çdo shtëpi. Po ashtu do të investohet edhe në rrugën Zajs-Gjoçaj-Dukagjin. Muceku theksoi se nuk do të ketë probleme për ekosistemin, florën apo faunën e zonës, pasi rrjedha e lumit nuk do të cënohet.
Ndërtimi i këtyre objekteve do të krijojë vende të reja pune për banorët e zonës.