E ardhmja e Lionel Messit ka qenë një nga çështjet më të përfolura javët e fundit. Për të sqaruar gjithçka, megjithatë, mendon vetë numri 10. E ardhmja e tij është vetëm Barcelona, të tjerët mund të ëndërrojnë kot. Ai e zbuloi këtë në një intervistë të dhënë për “Mundo Deportivo”, në të cilën, gjithashtu, zbuloi se kishte pasur mundësi të largohej nga klubi katalanas vitet e fundit: “Unë e dua Barcelonën, është shtëpia ime. Për sa kohë që klubi dhe njerëzit më duan, nuk do të ketë kurrë asnjë problem nga unë. Dua të qëndroj në këtë klub, të fitoj një tjetër Champions dhe herë të tjera titullin e La Liga-s. Shumë herë mund të isha larguar nga Barcelona, kishte nga ato që ishin të gatshëm të paguanin klauzolën time, por kurrë nuk e kam menduar këtë variant”.
Kjo besnikëri ndaj fanellës blaugrana lidhet edhe me vitet që kalojnë (në qershor, do të mbushë 33 vjeç), por edhe paraqitjet prej një ylli absolut: “Akoma ndihem shumë mirë, më mirë se vitet e kaluara. Nuk po shënoj shumë, por në nivel fizik ndihem shumë mirë. Të luaj deri në 40 vjeç? Të presim e të shohim…” Sidoqoftë, shumë menduan se debati verbal me Eric Abidal mund të çonte në një ndarje përfundimtare të tij me Barcelonën, pas vitesh të tëra. Kjo hipotezë është hedhur poshtë nga vetë Messi: “Unë u përgjigja, sepse u ndjeva i sulmuar. Lojtarët ishin në shënjestër. Shumë gjëra janë thënë për dhomën e zhveshjes, e cila largoka trajnerët, dhe se unë paskam fuqinë të marr vendime. Vendosja e lojtarëve si shkak i shkarkimit të një trajneri më tingëllon çmenduri. Klubi ka një drejtor dhe sekretariat teknik, ato i marrin vendimet”.