Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi e akuzoi Presidentin Meta se përdor një gjuhë që nuk i shkon përshtat për postin që zotëron aktualisht. Duke iu referuar deklaratave të kreut të shtetit për paketën “Anti-KÇK”, Koçi e krahasoi gjuhën e Metës me atë të “të fortit” të lagjes. Zëvendësministri tha në emisionin “7 pa 5” në viziob Plus se kreu i shtetit e mendon Presidencën si organizatë.

“Edhe Metës i kanë thënë shpesh që të vetëdorëzohet dhe nuk e ka bërë. Deklaratat e presidentit janë deklarata me një gjuhë që zakonisht e kanë të fortët e lagjes ose këta të fortët që ka në objekt pune OFL. Kjo është gjuhë dhune, gjuhë rezistence militare gjë që nuk i shkon një Presidenti Republike. Edhe kur thotë kala, Presidenca nuk është organizatë, është një institucion që ka Presidenti i Republikës. Nuk është një institucion kolektiv. Ata të tjerët janë punonjës të zakonshëm të shtetit. Zoti Meta kështu i mendon gjërat, gjithmonë e mendon veten pjesë të një organizate.”, u shpreh Petro Koçi.