Paralajmërimi i kreut të shtetit për mbajtjen me 2 mars të një proteste, një zhvillim që trazoi ujërat e politikës ditën e djeshme, për analistin Mustafa Nano nuk është gjë tjetër veçse një lojë politike.

Në studion e lajmeve të TemA TV, Nano tha se pavarësisht shqetësimit të drejtë mbi të cilin bazohet thirrja e Metës, momenti në të cilin ajo vjen tregon se po bëhet për qëllime mirëfilli politike.

“Ne do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Më duhet të them se menjëherë pas Konferencës së Donatorëve, e kam ditur se do të ndodhte diçka e ngjashme.

E kam ditur se disa qarqe politike do të nervozoheshin prej këtij suksesi. Pas disa muajsh me gjasa do të çelen negociatat.

Ka pasur qarqe të interesuara për ta prishur festën. Ilir Meta është pjesë e kësaj loje. Duan që të bëhet një trazirë, sidoqë pretendimet e Metës janë të drëejta.

Trazirat e provokuara në këtë mënyrë janë një lojë e ndyrë politike. Ato mund të kompromentojnë kredencialet e Shqipërisë”, tha Nano.

Për Nanon, me thirrjen për protestë, kreu i shtetit po njollos zyrën ë presidentit.

“Është surreale. Po flitet për grusht shteti. Çfarë quhet grusht shteti: një organizim me mjete jodemokratike për të përmbysur një shumicë.

Këtu kanë adoptuar një kuptim tjetër për grushtin e shtetit. Shqetësimi është real, por nëpërmjet lojërave të tilla bëhet pis zyra e presidentit.

Nëse do të marrë atribute të tilla, le të dalë në opozitë. Për mua, Meta ka kohë që ka dalë nga binarët kushtetues dhe po e bën pis funksionin e presidentit”, tha ai.

Në këtë përballje, Nano sheh një maxhorancë të fortë dhe që ka mbështetjen e ndërkombëtarëve. E vetmja pasojë sipas tij, mund të jetë kostoja që do t’i duhet të paguajë vendit në raport me aspiratën për integrimin në BE.

“Ndërkombëtarët janë në unison. Nuk i duan trazirat dhe destabilitetin. Maxhorancën e shoh të fortë. Janë më të fortë se një vit më parë. Në këtë kuptim, nuk shoh asnjë sinjal për destabilizim. Mund të ketë trazira që kompromentojnë procesin e negociatave”, tha ai.

Nano komentoi edhe vizitën e kreut të opozitës, Lulzim Basha, në Presidencë, pak orë para se kreu i shtetit të bënte thirrje për protestën e 2 marsit.

Për analistin, Basha po bëhet një instrument në duart e Metës, në vend që të luajë rolin që i është besuar: atë të liderit të opozitës.

“Vizitën e Bashës në Presidencë nuk e kam kuptuar. E mora për normale, por kur presidenti doli e pashë Bashën si një instrument në funksion të hesapeve të Ilir Metës. Ne në mënyrë legale njohim Bashën si lider opozite. Ai duhet ta luajë de fakto këtë rol. Ka zhgënjyer edhe demokratët”, tha ai.

Megjithatë, sipas Nanos, mënyra si ka bërë opozitë në dy vitet e fundit i ka mësuar Bashës një gjë të rëndësishme.

“Basha ka nxjerrë një leksion të vetëm: Pushteti nuk merret ndryshe veçse me votë”, tha ai.

Në këtë pikë, ideja e një qeverie tranzitore që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja është e pranueshme.

“Ideja e qeverisë tranzitore është interesante. E kanë bërë maqedonasit. Por edhe në mungesë të precedentëve, si ide shkon mirë në rrethanat shqiptare. Në momentin që opozita ka dyshime mbi qeverinë sa i përket zgjedhjeve, ajo është një ide interesante”, tha Nano.