Ditën e sotme u nda nga jeta bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha. Ikona e skenës shqiptare ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në moshën 87-vjeçare pas një sëmundje të rëndë që e vuante prej kohësh. Mbi këtë humbje kanë folur artistë të mëdhenj duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e këngëtares si dhe një humbje e madhe për artin shqiptarë. Sopranoja lirike e operës shqiptare, Inva Mulo ka rrëfyer se ka qenë shumë e lidhur me Nexhmijen. Inva ka treguar një moment të veçantë që i ka mbetur dhe do t’i ngelë gjithmonë në mendje nga Nexhmija. “Unë do të bëja një koncert për ditën e lindjes së babait tim dhe babai im donte që me ne të ishte edhe Nexhmija. Të gjithë na thanë se ajo nuk do të mundej që të vinte sepse ishte e sëmurë, por kur i thashë që dua të vish ajo u ngrit në këmbë, erdhi me mua në Tiranë dhe më pas u ngjit në skenë”, tha Inva.
Ajo ka treguar se ndihet e mërzitur me veten se për herë të fundit me Nexhmijen ishte takuar para një viti dhe e dinte që ishte sëmurë dhe nuk kishte shkuar ta takonte. Kompozitori i njohur, Zhani Ciko ka folur gjithashtu për humbjen e madhe të këngëtares Nexhmije Pagarusha. Ai ka thënë se lajmi ishte i trishtueshëm dhe një humbje e madhe për artin shqiptar pasi Nexhmija kishte një zë të mrekullueshëm dhe aftësi intepretuese që i kanë shumë pak artistë. “Lajmi është i trishtrushëm, ndarja e saj nga jeta ishte si shkëputja e atyreve yjeve pranverorë dhe Nexhmia është një yll që do të mbetet gjithmonë në zemrat tona me veprat e saj. Naxhmia kishte gjithçka i duhet nje kengëtari zërin, presonaliteti kishte një zë të vecant me nje shtrirje të jashtëzakonshme që janë simboli i saj”, tha Zhani Ciko.
Siç u shpreh ndër të tjera Zhani Ciko, Nexhmija ishte nga ata këngëtarë që nuk shtirej pasi gjithçka i buronte nga zemra. Për vde kjen e artistes ka folur dhe kompozitori, Edmond Zhulali i cili i ka shprehur ngushullime familjes dhe të gjithë artistëve shqiptarë. Ai ka pohuar se Nexhmije Pagarusha nuk ka studiuar për kanto, por kjo e ka befasuar vetë kompozitorin kur këngëtarja i ka thënë se zërin e ka natyral.
“Është një lajm shumë i hidhur në radhë të parë për artin shqiptar dhe atë kosovar pasi Nexhmije Pagarusha ishte një këngëtare e mrekullueshme pasi ka lënë një zë të mrekullueshëm në botën muzikore shqiptare. Mbaj mend kontaktin e parë me të, kur ajo ishte e ftuar nderi në Festivalin e RTSH. Ishte njeri i rrallë edhe nga pikëpamja njerëzore dhe komunikimi’, u shpreh kompozitori. Ai ka pohuar se nuk ka pasur mundësinë që të bashkëpunonte me Nexhmijen, por një nga këngët e saj që e bëjnë të pavdekshme është ‘Baresha’. Kompozitori Gjergj Leka është prekur thellë nga ndarja nga jeta e bilbilit të muzikës shqipe. Leka e krahasoi Pagarushën me Vaçe Zelën, duke thënë se i ka krijuar të njëjtën ndjesi, si kur u nda nga jeta Vaçja këto ishin figura të muzikës.
“Nexhmije Pagarusha është artisja më shqiptare e artistëve. Në të gjithë këngët që na la, mbizotëron motivi shqiptar. Problemet sot që kemi me muzikën sot është pikërisht ky, mospasja e motivit shqiptar. Pagarusha na mësoi të gjithëve si duhet bërë muzikë dhe si duhet kënduar shqip”, ka thënë Gjergj Leka. Ai ka treguar se herën e fundit që është takuar me Nexhijen ka qenë në ‘Këngën e Shekullit’.Ai ka treguar se ajo ishte sëmurë. Ai e ka përshkruar Nexhmijen njeri me zemër të madhe. Për ndarjen nga jeta të BARESHËS, ka folur edhe Liljana Kondakçi. “Humbje e jashtëzakonshme, zë brilant, njeri i shkëlqyer. E kam ndjekur vazhdimisht, ka cuditur jo vetëm popullin e saj por gjithë botën. Ngushëllime familjarëve. Do mbetet ikonë e paharruar për të gjithë ne”, u shpreh këngëtarja.