Një grua që ishte në pritje të rezultatit të testit të Koronavirusit është arratisur nga spitali duke krijuar panik! Ngjarja ka ndodhur në një spital austriak, ku gruaja kishte shkuar për t’u testuar për Koronavirus. Karl Schupfer, një oficer shtypi për qytetin Salzburg, tha se pacientja 31-vjeçare u largua nga Klinika Universitare e Salzburgut rreth orës 3 të mëngjesit me kohën lokale të mërkurën. Kërkimet nisën menjëherë dhe gruaja u gjet nga policia në shtëpinë e saj pranë qytetit rreth orës 10 të mëngjesit.
Gruaja e paidentifikuar kishte qenë në spital që nga e marta, tha Schupfer, duke shtuar se motivi i saj për t’u arratisur ishte i paqartë. Tani ajo është përsëri në një spital të Salzburgut nën vëzhgimin e policisë dhe po merret në pyetje. Rezultatet e saj priten të dalin më vonë gjatë kësaj dite. Autoritetet po përpiqen të zbulojnë se me cilët persona mund të ketë pasur kontakte pacientja gjatë arratisjes së saj. Aktualisht nuk ka raste të konfirmuara të Koronavirusit në Austri. Burimi: CNN