Deputeti i PS-së Ulsi Manja duke folur për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar” iu përgjigj edhe akuzave të opozitës, sipas së cilës, ky është ligj i shpopullimit për qytetarët. Manja tha se ligji është projekt i zhvillimit e i dorës së shtrirë dhe zemrës së hapur.

“Ne jetojmë në një shoqëri të hapur dhe Shqipëria nuk duhet të bëjë përjashtim nga vendet e tjera. Ky është ligj që synon zhvillimin e Shqipërisë që ka në zemër tregun e lirë të punës. Kushdo qytetar i botës profesionist që arrin të sigurojë një kontratë pune në Shqipëri është i mirëseardhur. Kemi nevojë dhe për fuqi punëtore të kualifikuar, kur nuk i kemi kapacitetet”, tha ai. Manja shtoi se “po të shikohet ligji me vëmendje, janë përjashtim nga rregulli rastet e kontratave të punës dhe lejet e shtetasve të huaj në Shqipëri”.