Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare u shqyrtua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për të huajt”. E pranishme në komisionin parlamentar për të prezantuar projektligjin ishte zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda e cila vuri theksin te nevoja për të propozuar formatin e elektronikës, atë të aplikimit online për dhënien e një vize në kuadrin e digjitalizimit të mëtejshëm, por edhe në kuadrin e lehtësimit të procedurave të pajisjes me vizë, të shtetasve të huaj dhe masat e marra. ”Ndryshime në ligj ka edhe për sa i përket edhe shkurtimit të afateve si të dhënies së lejeve të punës ashtu edhe të shpalljes së listave që zakonisht qëndrojnë dhe në Shërbimin Kombëtar të Punësimit, për t’u shprehur në rastet kur ka kërkesa për një punë të caktuar”, vijoi Voda.
Relatori i projektligjit, Sadi Vorpsi tha se ‘ky projektligj synon rregullimin ligjor për mundësinë që aplikanti për viza të tipit C dhe D të mund të aplikojë edhe nëpërmjet sistemit elektronik të vizave. Rritja e interesave kombëtare ekonomike kryesisht në fushën e turizmit, por edhe më gjerë, argumenton realizimin e lëshimit të vizave elektronike, online për të huajt në Republikën e Shqipërisë”. Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët projektligjin në fjalë u miratua në parim. Më tej, komisioni vijoi me shqyrtimin nen per nen të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për ekzekutimin e vendimeve penale”. E ftuar për të folur rreth projektligjit ishte Evis Fico, këshilltare pranë Ministrisë së Drejtësisë. Pas diskutimeve dhe sugjerimeve , nga anëtarët, projektligji në fjalë u miratua në tërësi.