Nga Altin Ketro
Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, ka pësuar një tronditje të fortë nervore teksa ndiqte nga selia e tij konferencën e donatorëve në Bruksel. Sa më shumë shtohej shifra e donacioneve për Shqipërinë, po aq rritej tensioni i tij i brendshëm. Ato fonde, të cilat habitën edhe vetë kryeministrin Rama, i gjetën të papërgatitur presidentin dhe opozitën e rrugës. Afërmendsh kjo e fundit kishin pritshmëri për një shumë modeste e cila, së pari, do të vinte në vështirësi qeverinë shqiptare dhe, së dyti, do ta kishin një argument të fortë politik për të nisur një sulm ndaj kryeministrit Rama me akuzat se dështoi të bindtte komunitetin ndërkombëtar ngaqë, sipas logjikës së saj, ata nuk patën besim tek kjo narkoqeveri e korruptuar.
Të bindur se Rama do dështonte, ata ndryshuan kurs sjelljeje duke u treguar konstruktivë në ditët pas tërmetit. Ata nuk donin të linin shenjë se dështimi i donacioneve do vinte për faj të opozitës. Por, të ndodhur nën efektin e prishjes së skenarit të tyre, presidenti fare papritur na shpiku teorinë e “grushtit të shtetit”. Pasi doli në një konferencë shtypi dhe shpalli grupin puçist në KED dhe kryeministri, thirri në presidencë edhe liderin e opozitës së rrugës, Lulzim Bashën. Ky i fundit kishte disa javë që po përpiqet të dukej çun i mirë dhe trendy, kur befas, pas takimit me presidentin, sjellja e tij ndryshoi katërcipërisht. Gjuha e rënduar e Bashës është një zhvillim i ri, sepse na vërteton më së miri falsitetin që e karakterizon. Ai s’e ka për gjë që çdo 24 orë të bëhet edhe i mirë, edhe i keq, edhe i shëmtuar. Ky ndryshim linje i herëpashershëm, e bën Lulzim Bashën të pabesueshëm, sepse lideri i opozitës nuk mund të jetë paradite diell e pasdite shi.
Gjithsesi, ky është modeli që Lulzim Basha ka zgjedhur të ndjekë, dhe afërmendsh që do të marrë edhe kostot politike në zgjedhjet e ardhshme. Ajo që është shqetësuese është se presidenti i Republikës po e ul kaq përtokë imazhin e institucionit që përfaqëson, saqë një zot e di sa kohë do duhet për t’ia rikthyer autoritetin. Presidenti Meta është bërë i njëanshëm politikisht dhe konsultohet vetëm me njërën palë. Ai as që denjon që të thërrasë edhe palën tjetër për çfarëdolloj problematike që e shqetëson. Sulmet e tij verbale ndaj mazhorancën, të cilat tashmë po avancojnë me thirrje për protesta popullore, janë jashtë çdo logjike normale të funksionimit të shtetit.
Po t’i referohemi Kushtetutës, specifikisht nenit 86 të saj, do ta gjenim presidentin në shkelje të pikës 1 të këtij neni ku shprehimisht shkruhet: “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Presidenti Meta, në fakt, përfaqëson vetëm unitetit e opozitës dhe asaj pjese të popullit që e mbështet. Kurse mazhoracën dhe popullin që e mbështet atë, ka kohë që e ka bërë lanet. Në këto kushte, për të shmangur në të ardhmen një model “Meta”, mazhoranca duhet të ndërmarrë një inisiativë për të ndryshuar pikën 2 të nenit 86 të Kushtetutës i cili akutalisht ka këtë përmbajtje: “President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç.”
Është pikërisht mosha 40 vjeç ajo të cilën unë e konsideroj problematike për kushtet e Shqipërisë. Kjo moshë është shumë e re në rastet kur një president konsumon një mandat 5 vjeçar. Askush nuk jep garanci se një 45 vjeçar, pasi mbyll mandatin e parë si president, apo qoftë edhe një 50 vjeçar nëse është fatlum me një mandat të dytë, të dalë në pension politik. Nuk e lë egoja personale që ta mbyllë karrierën politike kaq shpejt dhe në këto kushte, ose do tentojë të kapë një post drejtues tek partia që e mandatoi (modeli Nishani), ose do krijojë një parti të vetën politike (modeli Topi). Modeli “Meta”, që e ka edhe bashkëshorten kryetare partie, rrjedhimisht ka edhe konflikt të pastër interesi me detyrën që ushtron, në ndryshim nga dy modelet më lart, e shfaq hapur ambicien e tij politike për të ardhmen, duke qenë ende në detyrë.
Kjo gjë ia pamundëson që të ketë vullnetin për t’i thërrur të gjithë palët në tryezë me qëllim uljen e tensioneve politike. Përkundrazi, bëhet inisiator për të mbajtur njëanshmëri politike e cila mendon se do ta ndihmojë në të ardhmen për të pasur një protagonizëm politik. Atëherë, cila është zgjidhja? Pikërisht pika 2 e nenit të lartpërmendur ka nevojë për një ndryshim të tillë: “President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 65 vjeç”. Kjo moshë ka dy avantazhe. Së pari, njeriu në këtë moshë ka një pjekuri më të madhe. Vetë mosha e një presidenti të tillë është më ndikuese dhe më autoritare tek palët politike. Së dyti, një 65 vjeçar, për shkak se e mbaron së paku njërin mandat në moshën 70 vjeçare, respektohet nga palët pozitë- opozitë si më përbashkues, sepse askush nuk e sheh atë si rival të ardhshëm politik (modeli Moisiu).
Gjykoj se më këto përmirësime që i duhen bërë nenit 86 të Kushtetutës, do të kemi në të ardhmen një president normal dhe që i përmbush detyrat e tij sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij neni.