Kongresin Zgjedhor 2020 të Partisë Socialiste e përshëndetën sot disa eurodeputetë dhe përfaqësues të Partive Socialiste Europiane. Eurodeputetja portugeze, Margarida Marques në përshëndetjen e saj përgëzoi PS-në për organizmin e këtij Kongres. “Ne e mbështesim Shqipërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE. Kjo është pse socialistët në Parlamentin Europian i bëjnë thirrje shteteve anëtare të nisin negociatat me Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur sepse është e vetmja mënyrë për të garantuar paqen në rajon dhe e vetmja mënyrë për paqe në vendin tonë e në Bashkimin Europian. Ju uroj fat për këtë mbledhje”, u shpreh ajo. Kongresi u përshëndet edhe nga eurodeputeti gjerman Udo Bullman, njëkohësisht zëdhënësi për Çështjet Europiane të komitetit ekzekutiv të SPD.

“Urimet e mia më të mira për Kongresin e Partisë suaj dhe të jeni të sigurt që ne po luftojmë për zhvillimin më të mirë të Bashkimit Europian këtu në Berlin si SPD, po ashtu edhe në Parlamentin Europian dhe patjetër që do të rrisim interesin tonë për procesin e zgjerimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor e meritojnë të jenë në BE dhe ju uroj më të mirat për procesin e reformimit që keni përpara. Mund të mbështeteni tek ne. Ju uroj fat dhe më të mirat”, tha Bullman. Kongresi Zgjedhor 2020 i Partisë Socialiste u përshëndet edhe nga Maria Vasiliadis e cila u shpreh se, “tema që trajton Kongresi ka një rëndësi shumë të madhe, duke marrë parasysh rritjen e vazhdueshme ekonomike në vendet e Ballkanit dhe perspektivën e disa vendeve të Ballkanit për anëtarësim në BE. Çështjet e përbashkëta që shqetësojnë të dy vendet tona, si dhe beteja në Partinë Socialiste simotra, përpjekjet për të arritur qëndrueshmëri sociale dhe rritje ekonomike në të mirë të çdo qytetari duhet të jenë pjesë e axhendës për angazhimet e ardhshme të përbashkëta në shumë nivele. Mes të tjerash, një çështje jetësore që duhet adresuar është parandalimi i strategjisë agresive të zgjerimit të Turqisë, si në Mesdheun lindor, ashtu edhe në Ballkan. Kjo kërkon bashkëpunim më të ngushtë nga ana jonë, në mënyrë që të arrijmë marrëveshje të përbashkëta dhe të mbështesim politika që theksojnë ideologjitë tona socialiste. Dua të dini që jeni në mendimet tona e ju urojmë shumë fat dhe ju mbështesim plotësisht në përpjekjet për një Shqipëri moderne dhe të zhvilluar”.

Alicia Homs, anëtare e PE-së, në përshëndetjen për Kongresin e PS tha se, “Si Presidente e Socialistëve të Rinj Europianë dhe si eurodeputete kam nderin t’ju drejtohem të gjithëve ju në kongresin tuaj të partisë. Shpresoj të jeni duke zhvilluar një debat konstruktiv mbi mënyrën e zbatimit të vlerave tona socialdemokrate në të mirë të së ardhmes së Shqipërisë dhe qytetarëve tuaj. Detyra e Partisë Socialiste të Shqipërisë është e dyanshme. Nga njëra anë ju punoni për të vendosur reforma që garantojnë standarde më të larta demokratike dhe kushte më të mira jetese për shoqërinë tuaj. Ne i vlerësojmë përpjekjet e qeverisë shqiptare në këtë drejtim. Është pikë kyçe për pavarësinë e institucioneve, transparencën në sistemin politik dhe luftën kundër korrupsionit. Të gjitha këto janë hapa pozitivë dhe të nevojshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Nga ana tjetër si parti, Partia Socialiste duhet të vazhdojë të jetë një forcë tërheqëse për shqiptarët. Prandaj është shumë e rëndësishme të përdorim kongreset si ky, së pari për të zgjeruar partitë tona, për t’i modernizuar e për të zmadhuar mekanizmat e pjesëmarrjes. Socialistët dhe demokratët në BE do të ishin të lumtur të mirëprisnin Shqipërinë në të ardhmen, por ka ende disa hapa që duhen marrë për reformat për një sistem demokratik të lirë e të ndershëm. Të rinjve shqiptar u duhen këto reforma më shumë se kushdo tjetër, sepse ata meritojnë një të ardhme të ndritur, më të integruar me pjesën tjetër të Europës, me punë dhe arsim për të gjithë dhe një sistem që lejon pjesëmarrje aktive në politikë. Partia Socialiste e Shqipërisë i ka mjetet dhe vlerat për të udhëhequr këtë rrugë drejt progresit, pra vazhdoni të punoni fort dhe ajo që imagjinojmë sot do të bëhet realitet nesër”.

Kongresi u përshëndet edhe nga, Petra Kammerevert, anëtare e parlamentit europian. “Vetëm disa javë më parë Bashkimi Europian përjetoi një moment të vështirë në historinë moderne. Mbretëria e Bashkuar u largua nga projekti i integrimit europian. Referendumi britanik, fushata e dezinformimit, largimi i Britanisë nga anëtarësia në BE e si përfundim Brexit-i do të kenë patjetër shumë efekte negative në jetën e njerëzve. Megjithatë ato përbëjnë edhe një inkurajim e një shtysë për të rritur përpjekjet e për të punuar për një Europë vërtetë sociale, drejt një Europe që i vë qytetarët në qendër të vëmendjes, një Europë që është e besueshme dhe që i mban premtimet edhe sa i përket procesit të zgjerimit”, tha ajo. Në këtë sfond, shtoi Kammerevert, “paaftësia e plotë e krerëve të shteteve dhe qeverive europiane për të marrë një vendim që të hapin negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në fund të vitit të kaluar është e papranueshme. Ndërsa Komisioni Europian përsëriti vazhdimisht se si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria i

përmbushën të gjitha kriteret dhe pritshmëritë. Keni bërë progres madhor në vitet e fundit, duke plotësuar kërkesat e BE-së. Sërish, së fundmi, keni marrë parasysh shqetësimet tona dhe keni lënë mënjanë ligin tuaj të ri për medien, në mënyrë që të lejoni Komisionin e Venecias të shqyrtojë pasojat e mundshme të këtij ligji mbi lirinë e shprehjes dhe të informimit. Do të doja t’ju falenderoja për këtë. Ju lutem vazhdoni të luftoni korrupsionin, të luftoni për sundimin e ligjit, mbrojtjen e lirisë së medias etj”. Gjithsesi, shtoi ajo, “nuk mund të presim përpjekje vetëm nga ju. Miqësia nuk është e njëanshme. BE-ja tani duhet të tregojë që edhe ju mund të mbështeteni tek ajo. Tek Parlamenti Europian, ne parashikojmë një nevojë urgjente për t’i dhënë momentum të shtuar politik procesit të zgjerimit, që do të thotë nga njëra anë të bindim shtete anëtare që ende kishin rezerva në takimin e fundit të këshillit, dhe nga ana tjetër t’i tregojmë mbështetjen e plotë nga ana jonë për qeveritë dhe qytetarët për shtetet tuaja fqinje, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në këtë aspekt, më 28 Janar, Kryetari i Parlamentit Europian, David Sassoli u ftua në të ashtu-quajturën Samiti i Ballkanit Perëndimor. Në atë rast, Parlamenti Europian rikonfirmoi bindjen e fortë se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian ndajnë të njëjtin fat. U theksua edhe një herë se zgjerimi ka përfitime si për popujt e rajonit, edhe për shtetet anëtare të BE-së dhe që mund të kontribuojë për pajtimin aq të domosdoshëm në rajonin tonë. Në deklaratën tonë të përbashkët i bëmë thirrje Këshillit të Europës të vazhdojnë të mbështesin prespektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, bazuar në plotësimin e kritereve të anëtarësimit dhe të japin një mesazh pozitiv politik për hapjen e negociatave dhe dhënien e statusit kandidat sa më shpejt të jetë e mundur. Vetëm disa ditë pas Samitit të Ballkanit Perëndimor, Presidenti Sassoli vizitoi Tiranën, kryeqytetin tuaj, për të rideklaruar mbështetjen e fortë të Parlamentit Europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe për t’i dhënë forcë e shpresë për të parë përpara pas disa muajsh të vështirë për vendin që nga tërmeti shkatërrues në fund të nëntorit”.

Marek Balt, anëtar i Parlamentit Europian në përshëndetjen e tij për Kongresin Zgjedhor të PS tha se, “jam shumë i lumtur që dëgjoj rreth aktiviteteve tuaja në Shqipëri, që prej vitesh dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Juve ju presin ende shumë punë, por unë besoj në integrimin dhe suksesin tuaj. Polonia u anëtarësua në Bashkimin Europian falë socialistëve polakë dhe unë uroj që ju të keni nderin dhe privilegjin që të anëtarësoni vendin tuaj në BE. Unë do t’ju mbështes dhe do të punoj për të siguruar që Shqipëria bëhet anëtare e Bashkimit Europian sa më shpejt të jetë e mundur. Mirupafshim në Bruksel”. Ndërsa Andreas Schieder në fjalën e tij përshëndetëse për Kongresin Zgjedhor 2020 të Partisë Socialiste, theksuan se, “ju urojmë një Kongres shumë të suksesshëm, veçanërisht kryetarit dhe Kryeministrit Edi Rama, i cili është një mik i hershëm i yni. Për vendin tuaj kjo është një periudhë e rëndësishme, pasi jeni para hapjes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe për këtë është e rëndësishme që ju të vazhdoni me reformat sociale, politike dhe ekonomike në vend. Ju urojmë më të mirat për Kongresin tuaj dhe mirupafshim së shpejti”. Zëvendëskryetarja e Delegacionit të Parlamentit Europian në Shqipëri Bettina Vollath në përshëndetjen e saj për Kongresin e PS tha se, “në kohë si këto, është e rëndësishme për ne të gjithë të kuptojmë se sfidat me të cilat përballemi janë sfida që mund t’i përballojmë vetëm të bashkuar. Kështu, zgjerimi i Bashkimit Europian dhe garantimi i anëtarësimit në BE është qëllimi ynë si social-demokratë në Parlamentin Europian. Ne e dimë që vetëm paqja dhe demokracia në të gjithë kontinentin tonë do të forconin vlerat demokratike të vendeve kandidate dhe atyre anëtare të BE-së. Ju faleminderit për zgjedhjen e rrugës e paqes, demokracisë dhe stabilitetit. E ardhmja jonë është e ardhmja europiane, një e ardhme e përbashkët. Ju uroj gjithë të mirat dhe një Kongres sa më frytdhënës, të dashur shokë”.