Takimi mes Andrea Agnelli dhe Maurizio Sarri shërbeu për të ritheksuar afërsinë e klubit me ekipin dhe vetë trajnerin në një moment të komplikuar, që kulmoi me humbjen ndaj Hellas Verona. “Kazani” bardhezi, megjithatë, vlon, sidomos lidhur me të ardhmen, kur mund të merren vendime të rëndësishme për stolin e Juventusit. Nuk është mister që presidenti Andrea Agnelli tërhiqet nga figura karizmatike e Pep Guardiolës. Gjatë verës së kaluar pati më shumë se disa sugjerime për të, të cilat më pas rezultuan në asgjë. Ky fakt e bindi Agnelli të përqendrohej te marrja e trajnerit aktual toskan. Sipas asaj që raportohet nga “The Sun”, pista që të çon te Guardiola nuk është mbyllur kurrë përfundimisht për “Zonjën e Vjetër”. Tabloidi anglez, madje, flet edhe për gatishmërinë e presidentit Agnelli që ta lejojë spanjollin të vendosë kushtet e kontratës që do ta lidhte me bardhezinjtë; sigurisht jo më pak se 17.75 milionë euro në vit, sa merr aktualisht te Manchester City.

Për të ushqyer ëndrrën e Juventusit janë edhe këto fjalë që “The Sun” ia atribuon një burimi të afërt me klubin torinez: “Andrea Agnelli nuk e ka fshehur kurrë interesin e tij për Guardiolën. Ai mendon se trajneri katalanas do të dëshirojë të vijë në Itali kur cikli i tij në Angli të përfundojë. Pyetja është nëse kjo është koha e duhur, por ai do të bëjë gjithçka për ta bërë të mundur këtë”. Tani për tani, Guardiola e ka mendjen vetëm te përfundimi i sezonit në mënyrën më të mire. Në fakt, e ka humbur titullin në Premier League, ku po dominon Liverpool, por vijon garën në “Fa Cup” dhe “Carabao Cup”, Brenda Anglisë, si dhe në Ligën e Kampionëve, një obsesion për t’u shndërruar në fitore te “qytetarët”. Përndryshe, pista e Juventusit do të ngrohej më shumë.