Claudio Marchisio beson se Paulo Dybala është një nga lojtarët më të mirë që ka veshur fanellën ikonike nr.10 të Juventusit. Soji i Alessandro Del Piero, Roberto Baggio dhe Michel Platini e kanë përfaqësuar, po ashtu, këtë fanellë emblematike gjatë gjithë historisë bardhezi. Dybala thuajse e humbi këtë privilegj gjatë verës së shkuar, kur për pak u largua nga “Stadiumi Allianz”, me Manchester United dhe Tottenham që bënë oferta joshëse financiare. Dyshimet e sezonit të kaluar mbi të janë fashitur aktualisht, sepse nën drejtimin e Maurizio Sarri ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 11 asiste, me “Zonjën e Vjetër” duke luftuar për sukses në tri fronte.
Marchisio, një ish-bashkëlojtar me argjentinasin në Torino, ka mbetur i impresionuar nga kthesa e Dybala. Madje, mendon se ai e meriton numrin 10 mbi shpinë. “Paulo është ndër pesë më të mirët e Juventusit me numrin 10, – tha ai për DAZN. – Më bëri shumë përshtypje rritja progresive e Rodrigo Bentancur, jam i lumtur me rikthimin e Dybala. Ai po tregon, si më parë, se është vërtet kampion. Sigurisht, do të më pëlqente të luaja me Ronaldon. Gjatë asaj vere, kur CR7 mbërriti te Juventusi, shumë më thanë se nuk mund të largohesha.
Sidoqoftë, zgjedhjet e jetës nuk mund të lidhen me lojtarët që vijnë. Cristiano ka rritur pritshmëritë e Juventusit. Antonio Conte? Ai ishte një nga trajnerët më të rëndësishëm gjatë karrierës sime. Ishte shumë i rëndësishëm jo vetëm për mua, por për të gjithë. Ai solli përsëri shpirtin e vërtetë të Juventusit tek ne lojtarët, pas viteve të errëta të “Calciopoli”. Na bëri të fitojmë jo vetëm në fushë”.