Zjarre masive kanë përfshirë më shumë se 35,000 mijë hektarë pyje të shtunën (datë 1 shkurt 2020) shumë pranë kryeqytetit Australian Canberra. Autoritetet paralajmëruan banorët e zonës se është tepër vonë për t’u larguar dhe se duhet të përpiqen të kërkojnë strehim. Për këtë arsye zyrtarët u detyruan që të ndalonin kalimin në një autostradë të rëndësishme, për shkak të rrezikut nga flakët. Gjashtë zjarre në afërsi të rajonit New South Wales po përhapen jashtë kontrollit, ndërsa meteorologët njoftuan se temperatura të larta dhe erëra të shumta do të mbizotërojnë gjatë fundjavës, duke rrezikuar në këtë mënyrë përhapjen e flakëve.
Kujtojmë që nga shtatori i vitit të kaluar si pasojë e zjarreve kanë humbur jetën të paktën 33 persona,po ashtu janë shkatërruar mijëra shtëpi si dhe 11 milionë hektarë tokë janë djegur. “Problemi që kemi me zjarret është se ato vetë po i përcaktojnë kushtet e motit dhe bashkë me erën po forcohet intensiteti i flakëve” u shpreh komisionerja e shërbimeve emergjente, Georgeina Whelan. Temperaturat në disa rajone të Australisë janë më të larta se 40 gradë.