Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi se lufta kundër korrupsionit po vazhdon. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Integrimit, Balla pohoi se viti 2012-2013 ishte një ndër periudhat më të mëdha në nivelin e korrupsionit historik.
“Beteja jonë kundër korrupsionit vazhdon. Dje ishte presidenti i PE në Tiranë, David Sassoli, ku u fol për Bashkimin Europian. Korrupsioni në shoqëritë demokratike se lufton dot askush më shumë se gjyqësori. Për shkak të kësaj rëndësie, reforma në drejtësi është mbështetur që në hapat e saj të parë nga shumica jonë e qeverisë. Nuk ka pasur asnjë dyshim që maxhoranca qeverisëse e drejtuar nga Edi Rama ka ekuivokë apo tërheqje për të çuar para reformën në drejtësi. Dua të nënvizoj se hapat e ndërmarra për të luftuar korrupsionin, kanë qenë të vazhdueshme. Ne si qeverisje e majtë mund të kritikohemi për shumë gjera, por jo që nuk luftuam korrupsionin. Rekomandimi i fundit i lënë në 2019-ën ishte që përpjekjet duhet të vazhdojnë për luftimin, konfiskimin e pasurive të vëna përmes përfshirjes në organizata kriminale. Ne atë po bëjmë në këto ditë të para të këtij viti”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar theksoi se opozita jashtëparlamentare është kundër paketës “KÇK”, ndërsa ajo parlamentare po punon dhe vijon ta mbështesë. “Ne atë po bëjmë në këto ditë të para të këtij viti. Opozita është kundër kësaj strategjie, kundër KÇK. Korrupsioni shpesh ushqehet nga paratë e krimit dhe konfiskimi i pasurive të tilla do të shërbejë në frenimin e tij. Korrupsioni duhet të luftohet nga të gjithë. Kur bie fjala për çuarjen para të reformës në drejtësi, opozita parlamentare e ka mbështetur dhe vijon ta mbështesë. Thirrjet e vazhdueshme kundër shtetit, lëvizja e përgjithshme anti-shtet, e kanë zanafillën që me bojkotimin e institucioneve. Ligji mbi financimin e partive politike është vullnet i maxhorancës. I bëj thirrje çdo qytetari të bëjë denoncime dhe në SPAK”, përfundoi Balla.