Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se paketa Ant- KÇK ka mbështetje edhe nga partnerët ndërkombëtar. ”Akti Normativ i miratuar nga qeveria do të miratohet ashtu siç ka ardhur dhe ky akt ka mbështetjen e plotë të grupit parlamentar socialist. Çdo ditë që kalon ka mbështetjen e më shumë qytetarëve dhe po ashtu të partnerëve tanë ndërkombëtar. Kryeministri Rama e ka prezantuar këtë paketë në takimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe në takimin me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo dhe kjo paketë ka gjetur mbështetje”, u shpreh Balla në një prononcim për mediet nga Kuvendi.

I bën mirë Shqipërisë, tha ai, i bën mirë rrugës europiane të atdheut tonë të përbashkët. “Më vjen keq që rikonstatoj një vetëvrasje politike nga ana e opozitës, e cila e kundërshton këtë akt, një stad të ri të luftës kundër krimit të organizuar përfshirë këtu edhe terrorizmit. Duhet të kujtojmë që fokusi i ligjit janë edhe asetet apo llogaritë bankare që mund të jenë ngritur nga lidhje me grupe të caktuara të terrorizmit”, theksoi ai.

Sipas Ballës, paketa Anti-KÇK është një garanci më shumë për t’a çuar luftën dhe goditjen kundër krimit të organizuar tërësisht në një nivel të ri. “Ju garantoj se ky aksion do të ketë një sukses dhe prej këtej e tutje, askush nuk do t’i shpëtojë sitës së operacionit “Forca e Ligjit”, theksoi Balla. Balla i pyetur mbi formularët e parë për justifikimin e pasurisë, të dërguar disa personave, mes të cilëve edhe Lulzim Berisha, tha se ligji i miratuar përmes Aktit Normativ që do të konfirmohet në Kuvendin e Shqipërisë i përfshin si persona apo grupe kriminale pasuria e të cilëve duhet hetuar.

“Procesi i hetimit është kompleks. 48 orë janë të mjaftueshme për këta persona të plotësojnë formularin. Më pas policia e Shtetit ka një periudhë 15 ditore për të bërë verifikimin dhe më pas është pjesa që lidhet me Prokurorinë Speciale Antikorrupsion (SPAK), e cila ka 15 ditë kohë të shkojë në gjykatë për të konfirmuar në rast të nevojës së sekuestrimit apo hapave të tjerë që duhet të ndjekë”, shtoi ai. Kam qenë, vijoi Balla, një ndër zërat më konsistentë që lidhen me besimin te SPAK. “Opozita prej ditës së parë ka sulmuar këtë institucion. Ka sulmuar kreun e saj në mënyrë të padrejtë apo edhe anëtarë të saj”, theksoi Balla.