Komisioni i Ligjeve miratoi sot Aktin Normativ dhe ndryshimet në ligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”. Nën drejtimin e kryetarit, Ulsi Manja, komisioni shqyrtoi Aktin Normativ “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”. Të ftuar për prezantimin e përmbajtjes së aktit normativ në komisionin ishin zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda dhe drejtori i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Besmir Beja.

Në nisje të diskutimeve, me propozim të deputetit Alket Hyseni, deputetët e komisionit mbajtën 1 minutë heshtje në përkujtim të kryekomisarit Dritan Lamaj, i ekzekutuar 7 vite më parë. Voda theksoi se “ky Akt Normativ ka për qëllim marrjen e masave në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”.

“Lindi nevoja e kësaj emergjence për shkak të një analize që Policia e Shtetit po i bën të gjithë punës së saj. Unë do të jap një shembull shumë të thjeshtë. Në vitin e fundit, Policia e Shtetit ka sekuestruar në total 91 milionë euro asete kriminale, një shumë sigurisht që nuk ka të krahasuar me shifrën që gjetëm në 2013, që nuk ishte as 1 milion euro. Por çfarë ndodhi? Me vendim të gjykatave nga gjithë kjo shumë pasuri të sekuestruara u katandisën vetëm 30 mijë euro”, u shpreh Voda. Deputeti Adnor Shameti u shpreh se nëpërmjet këtij akti me karakter të përkohshëm synohet forcimi dhe ashpërsimi i luftës ndaj organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale.

“Nxjerrja e këtij akti normativ nga Këshilli i Ministrave është diktuar nga nevoja për sanksionimin e marrjes së masave parandaluese me karakter personal, pasuror dhe ekonomik ndaj një kategorie të caktuar subjektesh, për të cilat ka dyshime apo informacion se janë të përfshira, ndihmojnë apo financojnë aktivitete të krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit apo bandave të armatosura, duke përbërë rrezik e duke cenuar sigurinë publike”, u shpreh Shameti.

Pas diskutimeve, Akti Normativ u miratua në tërësi dhe u përcoll për miratim në seancën plenare të radhës. Më tej, komisioni vijoi punimet me shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”. Zëvendësministrja Voda parashtroi se projektligji synon të përcaktojë Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara si institucion përgjegjës për administrimin edhe të provave materiale, përveçse pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë, si dhe rregullat e procedurat për administrimin e tyre.

Relatori i projektligjit, deputeti Alket Hyseni theksoi se përparësitë dhe efektiviteti i këtij projektligji konsistojnë në fuqizimin e kompetencave dhe rritjen e proaktivitetit të institucioneve administrative për administrimin dhe vendimmarrjen më efikase dhe eficiente për përdorimin dhe destinimin e aseteve e të pasurive të sekuestruara si dhe për administrimin, tjetërsimin dhe asgjësimin e provave materiale.