Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit përgjegjës, zhvilloi një tryezë të gjerë konsultimi publik për “Paketën penitenciare”. Në nisje të mbledhjes, kryetari i komisionit, Ulsi Manja e cilësoi paketën me ndryshimet ligjore si tepër të rëndësishme, e cila në kuadër të transparencës parlamentare, po i nënshtrohet dëgjesës publike përpara diskutimit dhe shqyrtimit nen për nen të projektligjeve.
“Është një paketë e plotë ligjore që synon të rregullojë menaxhimin në sistemin penitenciar në Shqipëri, nën frymën e konventave europiane dhe ndërkombëtare më të mira që rregullojnë këtë fushë, por pse jo edhe për të reflektuar dinamikën e zhvillimit të legjislacionit në Shqipëri në kuadrin e proceseve të integrimit”, u shpreh Manja.
Bashkërelatorja e projektligjeve, Vasilika Hysi, sqaroi se paketa e projektligjeve që lidhet me sistemin e paraburgimit dhe të burgjeve është në diskutim në një grup pune, të ngritur nga dy relatorët së bashku me përfaqësuesit e institucioneve zbatuese të këtyre projektligjeve. Puna ka nisur që në fillim të muajit janar dhe po punohet paralelisht duke marrë në konsideratë të gjithë opinionet, mendimet dhe sugjerimet e të gjithë aktorëve për projektligjet apo për dispozita të veçanta të tyre.
Pjesëmarrësit në këtë tryezë ndanë shqetësimet, opinionet, komentet dhe sugjerimet lidhur me këtë paketë ligjore. Pjesë e paketës janë projektligjet: “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”; “Për Policinë e Burgjeve”; “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të provës”, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8331, datë 21.4.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, të ndryshuar.
Relatorë të projektligjeve janë deputetët Vasilika Hysi dhe Adnor Shameti. Të ftuar në mbledhje ishin përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Shkolla e Magjistraturës, Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Fakulteti i Drejtësisë Tiranë, Fakulteti i Drejtësisë Durrës, Fakulteti i Drejtësisë Vlorë, Shoqata e Avokatëve Penalistë, Unioni i Gjyqtarëve/Shoqata e Gjyqtarëve, Unioni i Prokurorëve, OPDAT, Misioni Euralius, Prezenca e OSBE, Delegacioni BE, Zyra e Këshillit të Europës, UNICEF, CRCA, Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës, etj.