Moti sot ka qenë i shoqëruar me shi dhe reshje bore në disa zona, duke sjellë jo pak problematika për njerëzit. Sipas shërbimit meteorologjik situata do të ndryshojë komplet për ditët në vazhdim dhe pritet që moti të jetë i kthjellët dhe i qëndrueshëm sonte dhe gjatë të premtes. “Deri në mesditë mbizotëruan vranësirat si dhe reshjet e shiut me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar në jug. Në lartësitë mbi 800m, nuk munguan reshjet e dëborës.
Duke nisur nga orët e pasdites, reshjet ndërpriten në të gjithë territorin, për t`ja lënë vendin motit të kthjellët. Sonte dhe gjatë ditës së premte, vendi do të përfshihet nga moti i qendrueshëm. Përgjithësisht, do të mbizotërojë moti i kthjellët me vranësira të pakta kalimtare përgjatë relieveve malore”, thotë shërbimi meteorologjik. Sakaq pritet të ketë ngrica përgjatë akseve rrugore në disa zona.
“Era, do të fryjë nga kuadrati i veriut, mesatare dhe në bregdet e zonat luginore hera herës e vrullshme, duke u shoqëruar me valëzim të forcës 4 ballë. Temperaturat, të cilat do të vijnë në rënie të ndjeshme në orët e mëngjesit, do të sjellin ngrica përgjatë akseve rrugore deri në zonat e ulëta. Temperaturat parashikohen në: zonat malore -6ºC deri në 9ºC; zonat e ulëta -2ºC deri në 16ºC, zonat bregdetare 1ºC deri në 16ºC”, thuhet më tej në njoftim.