Ndërkohë që veriu është përfshirë nga frika e koronavirusit, Italia nuk po gjen qetësi as në jug.

Kjo pasi lëkundje tërmeti të magnitudës 4.4 të shkallës Rihter u raportuan rreth orës 17:02 në Cosenza. Sipas asaj që shkruan La Republica, njerëzit dolën menjëherë nga shtëpitë dhe iu drejtuan rrugëve pas dridhjeve të tokës.

Për momentin raportohet vetëm për disa dëme materiale të vogla, por fatmirësisht pa asnjë të lënduar.

Epiqendra e tërmetit kishte një thellësi prej 10 kilometrash. Toka në jug të Italisë ishte dridhur edhe njëherë më parë. Një tërmet me magnitudë 3.4 u regjistrua në Tirreno rreth orës 16:56.