Situata me zjarret në Australi po lehtësohet disi nga sasia e madhe e reshjeve që po bie në lindje të vendit. Mbi 35 vatra qëndrojnë aktive por niveli gatishmërisë tashmë është rritur për t’u përballur me sfidën e përmbytjeve. Në Australinë Lindore prej ditësh vijojnë reshjet e dendura të cilat po shuajnë edhe disa nga zjarret që vazhdojnë të digjen prej muajit shtator. Në terren ende luftojnë me flakët mbi 700 zjarrfikës, por sfida më e madhe tashmë po bëhen përmbytjet dhe operacionet e shpëtimit që janë dyfishuar.

“Do i bëja apel komunitetit të jenë të vetëdijshëm për faktin se kanalet e ujitjes, lumenjtë dhe një numër veprash infrastrukturore kanë për të hasur probleme, si pasojë edhe e baticës verore,” njoftoi ministri i shtetit për shërbimet e emergjencës. Vetëm në Sidnej, në kryeqytetin e Nju-Sauth-Uellsit, në 24 orët e kaluara kanë rënë rreth 60 milimetra shi, sasi kjo që parashikohet të arrijë rreth 360 milimetra brenda ditës së hënë. “Reshjet e shiut kanë bërë mrekullinë këto ditët e fundit dhe lajmi i mirë është se do të vijojnë, përfshirë në juglindjen e shtetit ku janë edhe zjarret. Sigurisht ekziston rreziku i vërshimeve të ujit që ka nisur të vërehen, por reshjet janë të mirëpritura nga shumë zjarrfikës, komunitete rurale dhe fermerët,” shtoi përfaqësuesi i shërbimit zjarrfikës. Nën ndikimin e stuhive të forta dhe shirave të rrëmbyer pritet të jenë edhe perëndimin e Australisë, ku një ciklon tropikal është parashikuar të godasë rajonet bregdetare në orët në vijim.